Eskpertja Fraser vë në pikëpyetje transkriptet e ZPS-së

Mbështetshmëria në transkriptet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar nga audiot e vizitave në Qendrën e Paraburgimit në Hagë është e ulët. Kështu ka deklaruar ekspertja e linguistikës forenzike, Helen Fraser e cila është duke dëshmuar në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, në rastin kundër administrimit të drejtësisë, raporton KosovaPress.
Avokati e ish-presidentit, Hashim Thaçi, Sophie Menegon ka vazhduar me parashtrimin e pyetjeve karshi dëshmitares të mbrojtjes ekspertes së linguistikës forenzike, Helen Fraser.
Menegon kërkoi të di nga ekspertja se sa janë të besueshme transkriptet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
“Në këtë rast çfarë përfundimin keni ju për mbështetshmërinë dhe besueshmërinë e transkripteve të ZPS mbështetur në informacionin që u kemi thënë ju”, pyeti avokatja e Thaçit.
Ndërsa, ekspertja e linguistikës forenzike tha se mbështetshmëria dhe besueshmëria e transkriptave të Zyrës së Prokurorit të Specializuar është e ulët.
“Mbështetshmëria është e ulët jo në kuptimin që unë mund të them se transkriptat janë të gabuara se nuk mund ta them dot këtë gjë, por mund të them se nuk mund të mbështetemi në të si transkripta mjaftueshëm të sakta për procesin gjyqësor…Për faktin që nuk kemi aftësi të demonustrume për deshifrimin e dosjeve në audiove kjo nuk do të thotë që transkriptuesit nuk janë me përvojë.. Megjithatë ekspertiza dhe përvoja në këtë gjë janë dy gjëra të ndryshme ne kemi nevojë për ekspertizë në këtë fushë jo për thjesht për përvojë. Po ashtu, mungesa e metodologjisë së ndjekur të një procesi të caktuar hap pas hapi edhe kjo në vetvete qon në përfundimin që nuk kemi një proces një metodologji me hapa të qartë që janë të rëndësishëm për transkript të besueshme e në veçanti në transkript ku do të mbështeten përkthimet dhe kur përkthimet do të përdoren në ambient gjykate”, tha ajo.
Tutje, mbrojtja e Thaçit gjatë marrjes në pyetje të ekspertes ngriti dyshime mbi paanshmërinë e transkriptuesve të ZPS-së. Avokatja, Menegon tha se disa prej tyre kishin role të afërta me hetuesit.
“Në hetimet e ZPS-së kemi parë që njëri ishte rishikues dokumentesh, tjetri mbështetës analisti a tregojnë këto një lloj afërsie midis këtyre përkthyesve dhe të hetuesve të ZPS-së a përbënë arsye për të dyshuar lidhur me mbështetshmërinë apo besueshmërinë e transkripteve që janë krijuar nga këta transkriptues”,tha ajo.
Dëshmitarja më pas tha se nuk mund të mbështetesh plotësisht në këto transkripta si burime të sakta.
“Atë që kam shkruar unë në raport nuk po them që ata janë të pasakta, unë po them se janë të pambështetshme në kuptimin se nuk mund të mbështetesh në to si të sakta”, deklaroi ekspertja.
Gjatë dhënies së dëshmisë së saj, ekspertja australiane deklaroi se mungesa e vulave të kohës e bën të vështirë procesin e vlerësimit të transkripteve dhe krahasimin me një transkriptë apo përkthim tjetër.
Seancën e sotme tre të akuzuarit ish-presidenti Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj dhe Hajredin Kuçi seancën e sotme po e ndjekin përmes video-lidhjes.
Në këtë rast gjyqësor , nën akuzën për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë janë ish-presidenti, Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu, Isni Klaj dhe Hajredin Kuçi.
Në seancën fillestare më 27 shkurt 2026, të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu ngarkohen.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?