Kidnapimi i policëve nga forcat serbe, Abdixhiku: Kosova nuk e meriton një ditë të tillë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas kidnapimit të tre zyrtarëve policorë të Kosovës, nga ana e njësive speciale serbe.

Abdixhiku tha se “të tre policët e rrëmbyer i presim në shtëpi. Ky është borxhi ynë si Republikë përballë agresionit luftënxitës të Serbisë. Lirimi i tyre i menjëhershëm është domosdoshmëri”.

“Për këtë lirim, bashkërendimi e përafrimi me aleatë është i paalternativë. Prandaj, sot, bie dhe perdja e naiviteti popullist që këtë bashkërendim e shihte si dobësi. Dobësi e vetme është thirrja e vonuar për ndihmë, pasi je poshtëruar”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

Abdixhiku ka thënë se Kosova nuk e meriton një ditë të tillë.

Ai ka kërkuar përgjegjësi politike institucionale nga Kryemnistri Kurti dhe vartësi i tij.

“Ushtrimi i sovranitetit të vërtetë kërkon mençuri”, ka thënë Abdixhiku./21Media

Back to top button