MPJ kërkon nga bashkëatdhetarët të shmangin udhëtimin përmes Serbisë

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës (MPJ), ka apeluar te të gjithë bashkëatdhetarët që kanë nisur rrugëtim për në Kosovë, të shmangin pikë kalimet kufitare përmes Serbisë.

“INFORMACION I RËNDËSISHËM PËR TË GJITHË ATA QË JANË DUKE UDHËTUAR DREJT #KOSOVËS. Ju lutemi, ndiqni me vëmendje situatën e tensionuar të sigurisë dhe mos udhëtoni përmes Serbisë”, ka reaguar MPJ.

Në njoftimin e MPJ-së në Facebook thuhet se të gjithë bashkatdhetarët dhe qytetarët që janë në lëvizje njoftohen të shfrytëzojnë pika të tjera kufitare për qarkullim deri në një informim tjetër zyrtar nga ana e institucioneve të Republikës së Kosovës.

“Duke marrë parasysh faktin që në qarkullim janë shumë lajme të rreme, të cilat synojnë përhapjen e frikës dhe kaosit, ju lutemi të ndiqni @Kosovo_Police rreth përditësimeve më të fundit zyrtare në këtë drejtim”, thuhet në njoftim.

Policia e Kosovës ka dënuar “kidnapimin klasik të organizuar” të tre zyrtarëve policorë të Kosovës nga forcat serbe thellë në territorin e Kosovës./21Media

Back to top button