Kina me mision serioz për gjetjen e ujit në Hënë

Kina po planifikon të dërgojë një robot fluturues në Hënë gjatë 2026-s, me qëllim për të kërkuar ujin e ngrirë, që mund të mbajë çelësin për eksplorimin e ardhshëm hënor.

CNN ka raportuar të hënën se “detektori fluturues” robotik do të vendoset në polin jugor të hënës si pjesë e misionit të Kinës “Chang’e 7”, e që synon të sjellë vendin më pranë uljes së astronautëve në Hënë brenda pesë vjetëve.

Shteti kinez ka bërë përpjekje “të konsiderueshme” për të vendosur veten si akter kryesor në hapësirë, në një periudhë kur kombet, perfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po kërkojnë gjithnjë e më tepër jo vetëm për përfitime shkencore, por edhe duke synuar sigurimin e burimeve dhe sigurinë kombëtare.

Gjetja e ujit në Hënë s’do të ishte në fakt asgjë e re. Në 2024-n, shkencëtarët kinezë kishin gjetur ujë në mostrat e mbledhura nga sonda hënore Chang’e-5, derisa NASA dhe anija kozmike indiane thonë se kishin gjetur ujë në sipërfaqen e Hënës.

Megjithatë, shkencëtarët janë ende të ndarë në këtë qëndrim. Disa besojnë se ekziston vetëm akull, që mund të jetë ruajtur thellë në krateret e Hënës, e që do të jenë pjesë e hulumtimeve të ardhshme.

Në rast se faktohet ekzistimi i ujit në Hënë, njerëzimi do të përfitonte në disa aspekte. Shkencëtarët thonë se uji si burim jete do t’ua mundësonte astronautëve që të mos bartnin ujë atje gjatë udhëtimeve, gjë që ka qenë shumë e kushtueshme. Gjithashtu, uji si element kimik me hidrogjen dhe oksigjen, do të siguronte prezencën e oksigjenit (ajrit) dhe të karburantit për raketa. Po ashtu, me ujin në Hënë, kolonizimi i këtij sateliti do të ishte më i lehtë.

Back to top button