Kina regjistron temperaturën më të lartë në histori të vendit

Kina ka konfirmuar një temperaturë rekord prej 52.2 gradë Celsius në veriperëndim të vendit gjatë fundjavës.

“Një stacion meteorologjik në fshatin Sanbao të rajonit Xinjiang regjistroi një rekord të temperaturës prej 52.2C në orën 19:00 më 16 korrik, duke thyer rekordin historik të nxehtësisë për të njëjtën periudhë të vitit”, tha në një deklaratë Administrata Meteorologjike e Kinës.

Rekordi i mëparshëm prej 50.6C u vendos në korrik të vitit 2017, sipas deklaratës, shkruan Guardian, përcjell rtv21.tv.

Sanbao shtrihet në periferi të qytetit Turpan, ku autoritetet u kanë thënë punëtorëve dhe studentëve të qëndrojnë në shtëpi dhe kanë urdhëruar automjete speciale të spërkasin ujë në rrugët kryesore.

Temperaturat e sipërfaqes së tokës arritën në 80 gradë në pjesë të Turpanit të dielën.

Hemisfera veriore ka pësuar valë të nxehta rekord të verës në javët e fundit, të cilat shkencëtarët thonë se po përkeqësohen nga ndryshimet klimatike.

Autoritetet kineze kanë paralajmëruar për mot ekstrem dhe “fatkeqësi të shumta natyrore” këtë verë. /21Media

Back to top button