KLMDNj: Borrell dhe Lajçak u rreshtuan në anën e Serbisë

Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut (KLMDNj), reagoi pasi që dje në Bruksel nuk u arrit marrëveshje për targat me Kosovës dhe Serbisë.
KLMDNj e cilësoi si aspak të pavarur ndërmjetësi Joseph Borrell.
“i rreshtuar në mbrojtje të interesit të Serbisë, bashkë me Lajçak, që nga fillimi i “ndërmjetësimit“ deklaroi se Vuçiqi qenka treguar konstruktiv. Ku qëndroka konstruktiviteti i Vuçiqit dhe i Serbisë, sipas Borrellit? Vuçiqi paska pranuar që Serbia mos t’i pajisë serbët e Kosovës me targa ilegale KM, PSH, UR, GNJ etj. e që paraqet nonsense në marëdhëniet midis dy shteteve të pavarura për faktin se ky veprim i deritashëm i Serbisë paraqet ndërhyrje flagrante në punët e brendshme të një shteti e që ishte lejuar deri më tani sikur që BE –e edhe tash, përmes “negociuesve të pavarur“ e përligj këtë gjendje. Kjo i bie sikur që Rusia t’i pajisë qytetarët e Finlandës me targa ilegale e jo që këtë ta bëjë Finlanda si shtet i pavarur dhe sovran. “, thuhet në reagimin e KLMDNJ-së.
Sipas tyrekjo është arsye që çështja e targave nuk mund dhe nuk duhet të konsiderohet si çështje teknike por si çështje që ka të bëjë me integritetin territorial dhe sovranitetin e një shteti të pavarur dhe sovran.
“ Në rastin konkret, Serbia por edhe BE –e çështjen e targave e kanë shfrytëzuar për të krijuar tensione dhe për ta ruajtur praninë e Serbisë në Kosovë përmes instrumentalizimit të serbëve të veriut të Kosovës në ndërkohë që serbët në pjesët tjera të Kosovës i përdorin targat që i përdorin të gjithë qytetarët tjerë të Kosovës. “, thuhet në reagim.
KLMDNJ vlerëson se çështja e targave ishte vetëm shkas kurse synimi kryesor i Serbisë dhe “duket edhe i BE –së ishte dhe është ruajtaja e një status quo, sigurimi i një autonomie territoriale dhe politike për serbët e veriut, si veprim afatshkurtër dhe federalizimi i Kosovës në njësi etnike dhe politike, si synim afatgjatë.”, vijon reagimi.
Sipas Këshillit, të gjitha vendimet e qeverive të mëparshme si dhe të qeverisë Kurti 2 që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut kanë qenë favorizuese për serbët përmes të ashtuquajturit diskriminim pozitiv dhe diskriminuese për të gjitha pakicat tjera e, në disa raste edhe për shqiptarët që janë shumicë absolute.
“As sot serbët e Kosovës nuk e kanë të mohuar asnjë të drejtë të njeriut që iu takon sipas Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut të Kombeve të Bashkuara, Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe të Drejtat e Pakicave Kombëtare si dhe ligjeve të zbatueshme në Kosovë përfshirë këtu Kushtetuten e Kosovës. Madje, serbët e Kosovës gëzojnë të drejta përtej atyre që parashihen me dokumente ndërkombëtare dhe kombëtare për të drejtat e njeriut.”, thuhet në reagim.
Sipas KLMDNJ-së, qëndrimi i qeverisës së Kosovës në Bruksel ka qenë i drejtë dhe në përputhje me ligjin dhe intereset shtetërore.
“ Fajësimi i Borrellit, BE –së, ambasadorit Rohde dhe të tjerëve ishte subjektiv dhe oportunitet politik në përpjekje për ta amnistuar Serbinë dhe Vuçiqin për ndërhyrje flagrante në punët e brendshme të Kosovës. Kjo edhe trimëruar Serbinë që të ndërmerrë veprime destabilizuese ndaj Kosovës duke urdhëruar serbët e veriut të Kosovës të tërhiqen nga të gjitha institucionet e Kosovës, veprim ky gjatë i planifikuar për qëllime politike.”, vijon reagimi.
KLMDNJ thoë se BE –e, në mënyrë flagrante ua shkelë të drejtat elementare të njeriut qytetarëve të Kosovës duke ua mohuar lirinë e lëvizjes përmes mashtrimit klasik dhe kushtëzimit për liberalizim të vizave.
“Kosova, sidomos në 10 vitet e fundit nuk qëndron asgjë më keq se Bosnja, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria për të mos përfituar nga procesi i liberalizimit të vizave. Kosova nuk mund të refuzojë takimin dhe bashkëpunimin me BE –në përfaqësues të së cilës janë Borrell dhe Lakçak, skajshmërisht të anshëm mirëpo në këto takime duhet të mbajë qëndrim të pakompromis kur është në pyetje integriteti territorial dhe sovraniteti gjithnjë në koordinim me opoziten, para se të merret ndonjë vendim e jo pasi të jetë marrë vendimi.”, thuhet në reagim
KMDLNj – mendon, nëse nuk i luhet ndonjë lojë prapa krahëve Kosovës, se në veri nuk do të ketë përshkallëzim të dhunshëm të situatës që do ta rrezikonte sigurinë dhe se shpejtë do të materializohet një marrëveshje e cila ndihmon në tejkalimin e gjendjes dhe tensioneve. Pasi që largimi i serbëve nga institucionet e Kosovës është bërë për shkaqe politike, një marrëveshje e domosdoshme politike do t’i kthejë ata në ato vende të punës përveç rasteve kur nuk duan të kthehen apo kur kanë bërë shkelje të rënda.” Dënime nuk do të ketë për targa dhe se qeveria e Kosovës, me pranimin e propozimit amerikan për 48 orë, ka dëshmuar se pranon që ky prolongim të përputhet deri në kohën kur do të gjindet një zgjidhje politike e cila, në rrethanat aktuale nuk ka alternativë. KMDLNj –ë është kundër çdo llojë dhune dhe preferon një zgjidhje politike e cila nuk i dëmton interesat e Kosovës e as nuk i shkelë të drejtat e qytetarëve.”, përfundon reagimi.

Back to top button