​Start i tmerrshëm i Argjentinës në Botëror

Ka përfunduar në mënyrë dramatike për Argjentinën ballafaqimit me Arabinë Saudite.
Argjentina është shokuar nga Arabia Saudite në ndeshjen e tyre të parë në Kampionatin Botëror, pasi janë mposhtur 2-1 në kuadër të Grupit C.
Në fakt, argjentinasit e nisën shumë mirë ndeshjen duke kaluar në epërsi pas vetëm dhjetë minutave lojë me golin e kapitenit Lionel Messi i cili shënoi nga penalltia dhe me këtë rezultat skuadrat shkuan në pushim.
Por, shumë më ndryshe shkoi situata në pjesën e dytë, e arabët që shpërthyen duke shënuar dy gola brenda pesë minutave për ta bërë përmbysjen e madhe të rezultatit.
Fillimisht baraspeshën në rezultat e ktheu Al Shehri duke shënuar në minutën e 48’ për 1-1 dhe pastaj Al Dawari përmbysi gjithçka pesë minuta më vonë duke realizuar për 2-1 dhe rezultatin përfundimtar të kësaj ndeshje.
Kjo humbje mund ta komplikojë tej mase situatën në grup për Argjentinën pasi do të përballet edhe me dy rivalë të vështirë, siç janë Polonia dhe Meksika.
​Vetëm një gol i realizuar në pjesën e parë mes Argjentinës dhe Arabisë Saudite
Kanë përfunduar me vetëm një gol të shënuar 45 minutat e ballafaqimit ndërmjet Argjentinës dhe Arabisë Saudite.
Goli i vetëm, i pranuar, erdhi në minutën e dhjetë të ndeshjes kur Lionel Messi realizoi me lehtësi nga penalltia.
Në fakt, Argjentina realizoi edhe tre gola të tjerë, por që të gjithë u anuluan për shkak pozitave jashtë loje pas kontrollimit nga ana e VAR-it.
Kjo ndeshje është e vlefshme për grupin C të Kampionatit Botëror.
​E nis furishëm Argjentina, Messi hap serinë e golave ndaj Arabisë Saudite
U deshën vetëm dhjetë minuta lojë që Argjentina të kalojë në epërsi ndaj Arabisë Saudite.
Është superylli Lionel Messi që ka shënuar nga penalltia duke e nisur kështu në mënyrën më të mirë të mundshme këtë kompeticion.
Ndeshja është e vlefshme për Grupin C dhe ky ishte goli i Messit:


​Argjentinë-Arabi Saudite, nis ndeshja në “Lusail Iconic Stadium”
Ka nisur ndeshja ndërmjet Argjentinës dhe Arabisë Saudite, e vlefshme për grupin C të Kampionatit Botëror që zhvillohet në Katar.
Njëherit kjo është sfida hapëse për këto dy skuadra, derisa pritjet janë të mëdha nga Argjentina, e cila në krye me kapitenin Lionel Messi synon që ta fitojë këtë Botëror.
Skuadra e kanë nisur sfidën me formacionet e mëposhtme:
Argjentina: Martinez; Molina, Romero, Otamendi, Tagliafico; De Paul, Paredes, Papu Gomez; Messi, Lautaro Martinez, Di Maria.
Arabia Saudite: Alowais; Abdulhamid, Altambakti, Albulayhi, Alshahrani; Alfaraj, Kanno, Almalki; Albrikan, Alshehri, Aldawsari.

Back to top button