Klubet optimiste se FFK licencohet në ditët e ardhshme

Rreth 30 klube nga Superliga, Liga e Parë dhe Liga e dytë e Kosovës janë takuar të hënën për të diskutuar rreth mos licencimit të Federatës së Futbollit të Kosovës(FFK), çështje kjo që ua pamundëson atyre t’i gëzojnë benefitet financiare nga Ligji i Sponsorisimit.

Nga takimi që zgjati një orë e gjysmë, përfaqësuesit e klubeve dolën me optimizëm se licencimi i FFK-së do të ndodh së shpejti dhe se rreth kësaj çështje ata kanë diskutuar me Sekretarin e Përgjithshëm të FFK-së, Taulant Hodajn, i cili gjatë ditës kishte pasur një takim me zëvendësministren e Ministrisë së Sportit, Daulina Osmanin.

Përfaqësuesi i Klubit të Futbollit Trepça, deklaroi pas takimit janë optimistë se licencimi i FFK-së pritet të ndodh ditëve në vijim.

“Pika e njëjtë sikur edhe më herët, është çështja e shqetësimeve që kanë klubet lidhur me Ligjin për Sponsorizim dhe këto informata i kemi shpërndarë bashkë me klubet. Na ndihmoi shumë edhe sekretari i cili sot ka pasur një takim në Ministrinë e Sportit, gjegjësisht është takuar me zëvendësministren Daulina Osmani, aty janë dhënë disa vërejtje që sekretari i quajti minore, janë disa klube që mund të jenë çështje teknike, por që as ne e as federata nuk kemi pranuar asgjë me shkrim. Është premtuar që do ta kemi informatën me shkrim brenda dy ditësh, sot apo nesër, ne po i presim ato vërejtje për t’i eliminuar dhe besoj që çështja e licencimit është çështje e ditëve në vijim”, tha Haxhiu.

Ai shtoi se tashmë kanë informata se mbi 50 përqind e klubeve janë të licencuara, kriter ky i kërkuar nga MKRS-ja për licencimin e FFK-së.

“Sipas sekretarit, është kaluar 50 përqindëshi sepse edhe sot informata ka qenë që 28 klube e kanë dërguar dokumentacionin e duhur, por a ka vërejtje në atë dokumentacion ende nuk ka me shkrim…Ne vendosëm që të mërkurën duke iu bashkangjitur këshillit iniciues edhe dy anëtar të tjerë, vendosëm që të mërkurën përsërit të kontaktojmë komisionin për licencim dhe do të takohemi me Ministrinë e Sportit”, shtoi ai.

Ndërkohë, në mbledhjen e fundit të Komiteti Ekzekutiv të FFK-së, u tha se kjo federatë do të bëjë gjithçka për t’i ndihmuar klubet që t’i plotësojnë dokumentet e kërkuara nga MKRS-ja për licencimin e tyre.

Back to top button