KMDLNJ: Dislokimi i ushtrisë serbe është sinjal për destabilizim të situatës

KMDLNJ reagoi sot në lidhje me djegien e Qendrës së Regjistrimeve të Automjeteve, e cila gjendet në objektin e komunës në Zubin Potok.
Sipas KMDLNJ-së, duhet të lirohen menjëherë rrugët e bllokuara në mënyrë që të realizohet e drejta elementare e njeriut, liria e lëvizjes.
KMDLNJ përmes një komunikate theksoi se dislokimi i ushtrisë të Serbisë afër kufirit të Kosovës si dhe xhandarmërisë serbe është sinjal i qartë i synimit të Serbisë për destabilizim të situatës.
”Qëndrimi oportunist i bashkësisë ndërkombëtare që barazon një të drejtë dhe detyrim kushtetues për mbrojtje të integritetit territorial dhe shtrirje të sovranitetit brenda territorit me ndërhyrje kriminale të Serbisë në punë të brendshme përmes instrumentalizimit të qytetarëve serbë të Kosovês dhe bandave kriminale, jo që nuk kontribuon në qetësimin e situatës por inkurajon elementët radikalë dhe kriminalë që të eskalojnë situatë pa u rrezikuar se do të përgjigjen për aktet kriminale”, u bë e ditur tutje në komunikatën e KMDLNJ-së.
Kjo e fundit iu bëri thirrje partive opozitare që t’i lënë anash dallimet politike dhe partiake e të reagojnë, sepse eskalimi i situatës bart rrezik për Kosovën.
Ndryshe, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka bërë të ditur se sot në orën 01:00 pas mesnate është djegur Qendra e Regjistrimit të Automjeteve, e cila gjendet në objektin e komunës në Zubin Potok si dhe është sulmuar edhe Qendra e Regjistrimit Civil në Zveçan, ku dyshohet edhe për një mjet shpërthyes./21Media

Back to top button