KMDLNj propozon një prerje të qartë midis institucioneve arsimore e atyre fetare

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut bëri të ditur se më heret u ishin paraqitur raste kur bartëset e mbulesës – shamisë ishin diskriminuar gjatë konkurimit për një vend pune ndonëse ishin të moshës madhore, mbi 19 vjeçe e që qartazi paraqisnin diskriminim dhe shkelje e të drejtave të tyre njerëzore.
Ishin paraqitur edhe 3 -4 raste kur nxënëset e shkollës fillore ishin larguar nga procesi mësimor shkaku se bartnin shami. Edhe në këto raste, KMDLNj kishte reaguar, më pak për faktin se ishin shumë pak raste kurse arsyeja kryesore e reagimit ishte bullizimi apo stigmatizimi i nxënësve që bartnin mbulesa.
“Bullizimin dhe stigmatizimin, KMDLNj e ka konsideruar dhe e konsideron shkelje e të drejtave të njeriut, padiskutueshëm. Ndërkaq, sa i përket bartjes apo moslejimit të vijimit të mësimit për shkak të bartjes së shamisë për nxënëset nën moshën 18 vjeçe, KMDLNj nuk konsideron se paraqet shkelje për faktin se kjo çështje është rregulluar me nenin 3. paragrafi 1.13 të Udhëzimit Administrativ Nr. 06/2014 që ndalon bartjen e uniformave fetare, pa asnjë dallim në shkolla. Ky Udhëzim Administrativ është ende në fuqi në Kosovë, është i zbatueshëm dhe në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Si i tillë nuk mund të kundërshtohet përjashtuar rastit kur eventualisht do të shfuqizohej e për të cilin është i domosdoshëm ndryshimi i Kushtetutes aktuale e që, së paku deri më tani nuk është ndonjë nismë e tillë”, thuhet në komunikatën e KMDLNj-së.
Subjekte të caktuara politike, në përpjekje të sigurojnë vota nga besimtarët e besimit islam, gjatë fushatave zgjedhore kanë premtuar se do ta shfuqizojnë këtë Udhëzim Administrativ dhe se do të lejojnë bartjen e shamive edhe për nxënëset nën moshën 18 vjeçe, prandaj sipas KMDLNj-së edhe është nxitur një debat, që sipas tyre është në kohë të gabuar dhe në vend të gabuar ku votuesit, përkrahës të bartjes së shamisë kërkojnë përmbushjen e këtyre premtimeve, kurse partitë premtuese politike, në pamundësi ta bëjnë këtë, përdorin një retorikë që ende ngjallë shpresa se mund të ndryshojë Udhëzimi Administrativ.
“Kushtetuta e Kosovës, përkatësisht Neni 8 e njeh Kosovën si shtet sekular ku feja është e ndarë nga shteti mirëpo garantohet ushtrimi i lirë i fesë, për të gjitha besimet, pa asnjë diskriminim, përmes Ligjit për të Drejtat dhe Liritë Fetare. Bartja apo mosbartja e shamisë për nxënëset nën moshën 18 vjeçe është shndërruar thuaja tërësisht në fushatë politike dhe po bëhet për qëllime politike. Jo pse mungon e drejta për ushtrim të drejtave dhe të lirive fetare. Në këtë kontekst është i papranueshëm dhe i dënueshëm linçimi publik i të gjithë atyre që janë kundër përdorimit të shamisë për nxënëset e moshës jomadhore dhe që kërkojnë të zbatohet Udhëzimi Administrativ në fuqi dhe të respektohet Kushtetuta e Kosovës. Edhe ky linçim po bëhet në formë të fushatës. Qytetarët e Kosovës, sipas ligjeve në fuqi, shkollimin fillor e kanë të obligueshëm ndërsa nivelet tjera i përmbushin në bazë të vullnetit, mundësive dhe përcaktimit të lirë të tyre, në gjuhën e tyre apo në gjuhën që përcaktohen sipas vullnetit të tyre. Po këto ligje ua mundësojnë edhe shkollimin në bazë të besimit që e praktikojnë, nga niveli fillestar e deri te ai më i lartë, varësisht nga kapacitetet që i ka një komunitet fetar që e organizon aftësimin dhe shkollimin në baza fetare. Kjo e drejtë nuk i mohohet asnjë komuniteti fetar përveç rasteve kur janë në kundërshtim me ligjin”, thuhet në komunikatën e Këshillit.
“Gjykata Kushtetuese e Kosovës në Rastin Nr. KI36/11 se Neni 3. Paragrafi 1.13 i Udhëzimit Administrativ Nr. 06 /2014 është në përputhje të plotë me Nenet 8 dhe 9 të Kushtetutes së Kosovës dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në trajtimin e rastit të Arjeta Halimit, nxënëse e rregullt në Gjimnazin “Kuvendi i Lezhës“ në Viti pasi ajo pretendonte se i ishin shkelur nenet e Kushtetutes përkatësisht neni 24 ( Barazia para Ligjit ), neni 38 ( Liria e Besimit, Ndërgjegjes dhe e Fesë ) dhe neni 47 ( E Drejta për Arsim ) si dhe KEDNJ. Gjykata Kushtetuese në rastin në fjalë konstaton se nuk ka apsur asnjë shkelje e të drejtave të njeriut që garantohen me Kushtetutën e Kosovës dhe Konventen Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Me këtë vendim e rëzoi vendimin e Gjykatës së Qarkut në Gjilan”, thuhet tutje në komunikatë.
KMDLNj konstaton se çdo imponim apo keqpërdorim i autoritetit të prindit ose kujdestarit që e detyron një femër të moshës jomadhore, nën moshën 18 vjeçe, të bartë shami paraqet shkelje flagrante të drejtave të njeriut dhe si e tillë duhet të dënohet nga institucionet përkatëse.
Mbështetur në ligjet në fuqi ku qartazi janë përcaktuar të drejtat dhe detyrimet, KMDLNj propozon një prerje të qartë midis institucioneve arsimore publike dhe atyre fetare.
“Në institucionet arsimore publike, si shenjë identifikuese duhet të jetë një uniformë unike, pa lejuar asnjë simbol apo veshje fetare, pa asnjë përjashtim në mënyrë që të mos lejohet asnjë diskriminim apo supremacion të një besimi, pavarësisht numrit të praktikuesve. Në anën tjetër, të gjithë ata që janë të pakënaqur me zgjidhjen ligjore që është në fuqi, mund të nisin një procedurë për ndryshim të ligjit përkatësisht Udhëzimit Administrativ e që, fjalën e fundit do ta kishte autoriteti suprem dhe i pakontestueshëm për interpretimin e ligjeve në fushën e të drejtave të njeriut, Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Deri në kohën kur Kosova do të ketë të drejtë t’i drejtohet Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasbur”, thuhet në komunikatë./21Media

Back to top button