Koalicioni me PDK-në, flet Rama: Kosova ka nevojë për unitet

Pas zhvillimeve të fundit në Komunën e Prishtinës ka reaguar kryetari i saj, Përparim Rama.
Ai përmes një postimi në Facebook ka thënë se qeverisja në thelb është përgjegjësi ndaj qytetari. Ai ka thënë se bashkëqeverisja në kryeqytet me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Nismën Socialdemokrate, Lidhjen për Prishtinën dhe së fundmi me Partinë Demokratike të Kosovës(PDK), është bërë duke vendosur qytetarin në qendër.
“Në këtë kuadër, emërimet nga Lidhja Demokratike e Kosovës(LDK), janë bërë konfirm propozimeve të ardhura nga ”Kolegjiumi” i përbërë nga pesë degët e Prishtinës, një mekanizëm i themeluar nga vetë LDK, që garanton përfaqësim, balancë dhe legjitimitet të brendshëm. Paralelisht, janë emëruar edhe përfaqësuesit e partnerëve tanë nga AAK, Nisma, Lidhja për Prishtinën dhe PDK, duke reflektuar një qasje gjithëpërfshirëse dhe funksionale.”, ka shkruar Rama,
Tutje ai ka thënë se në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare do ta përkrah Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).
“Ashtu siç e kam përkrahur pakusht Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) në zgjedhjet e kaluara, do ta përkrah edhe në këto zgjedhje, me bindjen se demokracia, stabiliteti institucional dhe kultura shtetformuese duhet të mbrohen dhe të forcohen vazhdimisht. Përgjegjësi, rend, zhvillim dhe shërbim ndaj qytetarit, pa retorikë përçarëse por me vizion të qartë për të ardhmen, kjo është filozofia e së djathtës!”, ka shkruar ndër tjerash Rama./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?