Koalicioni me VV-në në Vushtrri, Tahiri krye në veti – LDK s’e ka autorizuar, paralajmëron masa

(Lajm i përditësuar)
Dega e LDK-së për balotazhin me VV: Marrëveshja jonë nuk afekton asnjë garë tjetër përveç Vushtrrisë
Pas arritjes së koalicionit mes LDK-së dhe LVV ka reaguar dega e LDK-së në Vushtrri duke thënë se “Qyteti ynë ka nevojë për ndryshim”.
Përmes një reagimi në rrjetin social Facebook nga LDK në këtë komunë është thënë se vendimet e mëdha nuk janë asnjëherë të lehta, por pavarësisht kostove individuale, “për ne një gjë është e qartë – interesi i qytetarëve dhe i Vushtrrisë është mbi gjithçka”.
Tutje thuhet se kjo marrëveshje nuk afekton asnjë garë tjetër përveç Vushtrrisë.
“Qyteti ynë ka nevojë për ndryshim! Vendimet e mëdha nuk janë asnjëherë të lehta, por pavarësisht kostove individuale, për ne një gjë është e qartë – interesi i qytetarëve dhe i Vushtrrisë është mbi gjithçka. Marrëveshja jonë nuk afekton asnjë garë tjetër përveç Vushtrrisë. Së bashku me asambleistët e zgjedhur të LDK-së, dje jemi besatuar para Zotit që do ta sjellim këtë ndryshim. Me ndershmëri, punë dhe dashuri për qytetin tonë. Gjithmonë me LDK – për Vushtrrinë që e duam!”, thuhet në reagim. /21Media
Koalicioni i LDK-së me VV në Vushtrri, Meholli: Nuk ka forcë që e ndalon fitoren tonë
Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë arritur një marrëveshje koalicioni për balotazhin e 9 nëntorit në Komunën e Vushtrrisë.
Lidhur me këtë çështje ka reaguar, kandidati i LVV-së Sylejman Meholli.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ai ka thënë se në këtë koalicion nuk ka forcë që e ndalon këtë fitore të përbashkët.
“Bashkë për Vushtrrinë! Përtej çfarëdo dallimi sot kemi lidhur koalicionin e fitores në Vushtrri me LDK-në – Dega në Vushtrri e drejtuar nga kryetari i saj z. Xhafer Tahiri dhe në mbështetje të plotë të kësaj marrëveshje nga kryeministri z. Albin Kurti! Bashkë e kemi ndryshuar qeverisjen në vitin 2017 e bashkë do ta ndryshojmë edhe më 9 nëntor 2025! Vushtrria ka nevojë për ndryshim të kursit qeverisës për t’ia kthyer qeverisjen qytetarit, qytetit zhvillimin, e qytetarëve mirëqenien pa dallim. Dua të falënderoj nga zemra strukturat e LVV-së dhe LDK-së në Vushtrri, në veçanti z. Tahiri, për gjenerozitetin dhe gatishmërinë plot vullnet për t’u bërë bashkë për fitoren e madhe në Vushtrri! Nuk ka forcë që e ndalon fitoren tonë të përbashkët në Vushtrri! Urime, na priftë e mbara!Zoti e bekoftë Vushtrrinë!”, ka shkruar Meholli. /21Media
Koalicioni me VV-në në Vushtrri, Tahiri krye në veti – LDK s’e ka autorizuar, paralajmëron masa
Pas nënshkrimit të marrëveshjes së koalicionit mes VV-së dhe LDK-së në komunën e Vushtrrisë, LDK ka dalë me komunikatë duke thënë se nuk ka autorizuar asnjë koalicion lokal.
Komunikata e plotë:
Lidhja Demokratike e Kosovës njofton anëtarësinë e vet dhe publikun e gjërë se nuk ka autorizuar dhe nuk autorizon asnjë koalicion lokal pa ndjekur procedurat statutare të partisë.
Veprimet e kandidatit tonë në Vushtrri për të lidhur koalicion me një parti tjetër, janë veprime individuale, të papranueshme dhe në kundërshtim me procedurat statutare të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
LDK-ja pret që fillimisht të analizohet performanca e kandidatit dhe e Degës së Vushtrrisë, dhe pas këtyre hapave të marrë vendimet përkatëse.
Veprimet e tjera, sikurse ky i sotmi, janë pa ndonjë vlerë dhe në kundërshtim me praktikën demokratike të LDK-së. Si të tilla, ato do të marrin trajtim procedural sipas Statutit pas përfundimit të garës lokale. LDK-ja tani është e fokusuar në garën e saj elektorale të balotazhit dhe jo në garën e partive tjera.

LVV dhe LDK arrijnë koalicion në Vushtrri, i pranishëm edhe Kurti
Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për raundin e dytë të zgjedhjeve në Vushtrri.
Marrëveshja është nënshkruar nga kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për Kryetar të Vushtrrisë, Xhafer Tahiri dhe kandidati i VV-së për Kryetar të kësaj komune, Sylejman Meholli.
Në fotografitë që janë publikuar në media në këtë ngjarje ka qenë i pranishëm edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti njëherit kryetar i Vetëvendosjes.
Nga rezultatet preliminare, Vetëvendosje në këtë komunë është në balotazh me Partinë Demokratike të Kosovës.
Portali rtv21.tv ka provuar ta marrë një përgjigje nga dy subjektet politike, por zyrtarët e tyre nuk kanë kthyer përgjigje. /21Media