Koci thotë se Lushtakut i takon kompensimi
Sipas Kocit, kompensimi ligjor për vuajtjet e shkaktuara me këtë procedim penal të padrejtë i takon Lushtakut
Avokati i Sami Lushtakut, Arianit Koci ka deklaruar se pas lirimit nga burgu, kryetarit të komunës së Skënderajt, Sami Lushtakut i takon kompensim për kohën që kaloi në burg.
Koci është shprehur se për dëmin moral dhe material të shkaktuar, Lushtakut i takon kompensimi.
“Burgu është shumë i vështirë kur je i pafajshëm dhe akuzohesh me prova të rrejshme. Sidoqoftë kompensimi ligjor për vuajtjet e shkaktuara me këtë procedim penal të padrejtë i takon Sami Lushtakut. Ne ende nuk e kemi biseduar këtë me Samiun, sepse kemi pasë prioritete të tjera, por kompensimi për dëmin e shkaktuar moral dhe material i takon z. Lushtaku”, tha Koci për Kallxo.com.
Lushtaku ishte dënuar në vitin 2015 me 12 vjet burg nga Gjykata Themelore në Mitrovicë për një vrasje të kryer në vitin 1998, edhe pse nuk dihej kush ishte vrarë. Kurse Gjykata e Apelit më vonë e kishte liruar nga akuza për vrasjen e civilit, duke e dënuar me shtatë vite burgim për përgjegjësi hierarkike me 7 vjet burg.