Kaloni te përmbajtja kryesore

LVV dorëzon kallëzim penal ndaj Përparim Ramës

Grupi i asamblistëve  të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës ka dorëzuar  sot në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës një kallëzim penal ndaj kryetarit të Prishtinës, Përparim  Rama, dhe zyrtarëve të lartë të kabinetit të tij, duke u bazuar në një  sinjalizim anonim që sipas tyre, është pranuar të mërkurën në mbrëmje.

Asamblistja e LVV-së, Blerita Abazi tha se sinjalizimi përmban  mesazhe ku pretendohet për legalizime të jashtëligjshme të objekteve dhe shuma të mëdha parash, ku përmendet  edhe shefi i kabinetit të kryetarit të Prishtinës.

“Ne sot jemi këtu para Prokurorisë Speciale për të dorëzuar një kallëzim penal ndaj zyrtarëve të lartë të kabinetit të kryetarit Përprim Rama dhe vetë Përparim Ramës, për shkak të një sinjalizimi të cilin e kemi pranuar mbrëmë  pasdite nga një sinjalizues anonim. Kemi pranuar një email ku kemi parë mesazhe të shumta që flasin për legalizime të jashtëligjshme dhe shuma të mëdha parash. Në këto mesazhe, personi që komunikon me një person tjetër anonim është pikërisht shefi i kabinetit të kryetarit Përparim Rama. Në këto biseda përmenden kompani ndërtimi, objekte ndërtimi dhe shuma parash, ndërsa pretendohet se këto legalizime janë tërësisht  të jashtëligjshme.

Lëvizja Vetëvendosje i ka bërë thirrje Prokurorisë Speciale që të nisë hetime për të verifikuar vërtetësinë e pretendimeve të paraqitura në kallëzimin penal.

“Marrë parasysh rëndësinë  e këtij sinjalizimi, sot po dorëzojmë zyrtarisht kallëzimin penal dhe po kërkojmë nga Prokuroria Speciale hetim të menjëhershëm. Për ne, ky është një  skandal i madh dhe është detyrë e prokurorisë që të hetojë dhe të vërtetojë nëse këto pretendime të sinjalizuesit janë të vërteta”, tha Abazi.

E pyetur nëse janë të gatshëm të mbajnë përgjegjësi në rast se pretendimet rezultojnë të pavërteta, Abazi tha se vlerësimi i tyre bazohet në sinjalizimin e pranuar dhe në situatën që, sipas saj, shihet çdo ditë në kryeqytet. 

“Është detyrë e Prokurorisë që ta hetojë dhe ta vërtetojë”.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button