Muhamedali Kodra nga Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë ka reaguar lidhur me menaxhimin e situatës me COVID-19 në Kosovë. Kodra u shpreh se kishte simptoma të theksuara të COVID-19, por që në testin e parë të bërë ka rezultuar negativ. Kodra tha se me testet serologjike ai dhe gruaja e tij dolën pozitiv.

Kodra thotë se ai dhe gruaja e tij ishin të infektuar me COVID-19, por që s’figurojnë në statistika të shtetit.

“Me 11 korrik më janë shfaqur shenjat e para të gripit. Më 12 nuk kam mundur të ngritem nga shtrati. Temperatura më sillej mbi 39C. Dhembje muskujsh, eshtrash dhe nyjesh kanë qenë të forta. Ethe dhe djersitje profuze. Të hënën më 13 korrik e kam dhënë strishon për test. Po këtë ditë shenjat e gripit i filluan edhe bashkëshortes. Të premtën kam marrë thirrje telefonike ku më kanë njoftuar se testi më ka dalur negativ. Shenjat përkeqësoheshin. Kollitja vazhdonte të theksohej. Filluam me terapi më të fortë. Përveq suplementeve me vitamina etj, u shtuan antibiotikët me infuzione dy herë në ditë nga dy copa.

Saturimi nuk ka rënë nën 90. Pas 5 ditë infuzione u vizituam edhe tek dr Gazmend Zhuri. Në bazë të rentgenit dhe analizave tha se keni intervenuar në kohë. Bashkëshortja në rentgen dhe analiza ishte më keq, por klinikisht unë kisha më shumë kollë. Na u rekomandua që të vazhdojmë edhe një javë me terapi. Pas një jave na u rekomandua që të vazhdojmë edhe 5 ditë. Pas kësaj, mua mu rekomandua të vazhdoj me antibiotik tableta kurse bashkëshortes të vazhdohet me infuzione edhe për 5 ditë. Në ndërkohë mi siguruan disa teste serologjike të IgM nga Austria. Pas ditës së 12, testet serologjike të dyve na dolën pozitive. Sot jemi mirë përveq forcës së humbur. Shija dhe aroma është kthyer pothuajse plotësisht. Shumë miq më pyesin se a e kam bërë testin nëse jam shëruar apo jo. Nuk di si ta bëjë. Ajo që e di, është se dy persona të infektuar me koronavirus nuk figurojnë në statistika të shtetit.”, shkroi ai në Facebook./21Media