Koka bën e koka vuan
Poezi nga Ali Asllani
Ç’ke moj zemër që rënkon!
Njëher’ varet trikollari, herën tjetër kryq i thyer…
Paska rar’ hallva prej qielli e ja nis një dallaver,
Mbushen xhepat me flori,
E qinosen ujk e dele për të bër’ një stan të ri!
Shitet vendi për para, me para e për para,
Bëhet burri telendi, dy para një maskara,
Para hasmit lepe peqe,
Para zërit të atdheut hund e tyre shtatë sqepe!
Duke blerë e shitur erë, dikush bëhet milioner,
Kurse shoku pinte uthull, lum zotria pinte verë,
Milioneri yn’ i ri,
Para shokut të dikurshëm vari buz’ edhe turi!
E përhera me dy faqe, që të haj’e që të bluaj,
Në një kohë mbi dy frona, në një çast mbi dy kuaj,
Me dy faqe, me dy nofulla, në një xhep e dy flamurë,
E hedh këmbën me daulle edhe turk edhe kaur!
Na të urt’ e të mendafshtë s’qemë të zot të bënim zë,
Ku fillon me thash e theme hij’ e vetes të përzë;
Neve ndryshe, puna ndryshe, defi ndryshe, kënga ndryshe,
E ç’kërkon në gji të gjëmbit të këndoj’ një dallëndyshe?
Mirpo vendi paskish zemër, paskish sy e paskish vesh,
Shikon lark e dëgjon thellë, di të vesh, edhe të zhvesh
Tani eja e t’ja themi asaj kënge që ja thonë:
Koka bën e koka vuan, ç’ke moj zemër që rënkon?!