Kolona të gjata për të blerë miell

Qytetarët në panik

Pas rasteve të para me koronavirus në Kosovë dhe pas shpalljes së gjendjes emergjente në sektorin e shëndetit publik, qytetarët duket se janë në panik për të siguruar artikuj ushqimorë, përfshirë edhe miellin si një artikull elementar për jetë.

Në Fabrikën e miellit në Sllatinë thonë se për shkak të fluksit të madh të konsumatorëve, ata janë të detyruar të punojnë pa ndërprerë.

Qytetarët kanë krijuar kolona të gjata para objektit të fabrikës në pritje për të blerë miell nga frika e përkeqësimit të gjendjes me koronavirus në vend.

Nuhi Rrahmani, pronar i Fabrikës së miellit në Sllatinë, tha për kp se për shkak të fluksit të madh janë detyruar të punojnë pa ndërprerë. Ai shprehet i shqetësuar për shkak se nëse mbyllen kufijtë dhe nuk lejohet hyrja e lëndës së parë, atëherë do të ketë probleme për prodhimin e miellit.

“Jemi duke punuar pa ndërprerë. Çmimet nuk kanë ndryshuar. Kemi sasi të miellit, por nëse mbyllen kufijtë, atëherë nuk ka nga vjen lënda e parë. Sikur të ketë lëndë të parë që vjen nga jashtë, mulli ka sa të duash për të punuar dhe nuk ka vend për panik. Kjo rrëmujë e ka rrok të gjithë Evropën, por pak a shumë ne shqiptarët jemi më ‘zemër në fyt’…Nëse nuk ka nga vjen lënda e parë, do të ketë më shumë pengesë…Deri tash nuk kemi pas problem, sepse kemi pas sasi të mjaftueshme, me mirëkuptim e kemi kaluar edhe këtë flukse”, tha Rrahmani.

Qytetarët edhe pse prisnin me orë të tëra për t’u furnizuar me miell, ata hezitonin të flisnin para kamerave. Megjithatë prapa kamerave disa prej tyre thanë për kp, se pas konfirmimit të rasteve me koronavirus dhe nga frika se mund të mbesin pa miell, duan që anëtarëve të familjes t’ju sigurojnë bukë.

Në Kosovë deri më tash janë regjistruar 15 raste me koronavirus.

Back to top button