Komandanti i KFOR-it: S’kemi asnjë provë për praninë e grupit Wagner në Kosovë
Komandanti i KFOR-it në Kosovë, Angelo Michele Ristuccia e vlerëson situatën aktuale në veri si të ndjeshme, por të qetë dhe dukshëm më të mirë se sa ishte në dhjetor.
“Mund të themi se situata tani është shumë më e mirë se sa ishte në dhjetor. Megjithatë, ka një sërë çështjesh që na shqetësojnë, si p.sh. vakumi i rrezikshëm që është krijuar në veri pas dorëheqjes së serbëve të Kosovës nga institucionet. Ky vakum është shumë i rrezikshëm, veçanërisht nga pikëpamja e sigurisë”, tha ai, duke shtuar se ka ende “shumë tension” mes popullatës, e cila ndihet “jashtëzakonisht e shqetësuar dhe e pasigurt”, ka thënë ai në një intervistë për mediumin Kossev.
Në përvjetorin e fillimit të luftës në Ukrainë, duke komentuar alarmin e zyrtarëve të Kosovës për ndikimin e madh të Rusisë “përmes satelitit të saj Serbisë” në Kosovë, muajt e fundit veçanërisht, mundësinë e prezencës së grupit paraushtarak “Wagner”, Risstuccia deklaroi se KFOR-i nuk ka asnjë provë për praninë e grupit Wagner në Kosovë dhe as se Rusia mund të sulmojë Kosovën, përmes “satelitit” të saj të Serbisë, siç kishe deklarata nga zyrtarët në Kosovë.
“Për momentin nuk kemi asnjë provë për këtë. Do të jem më i saktë, të gjitha ngjarjet në zonë që kanë ndodhur në muajt, javët e fundit, janë më shumë të lidhura me dinamikën e brendshme sesa me ndikimet e jashtme”, tha komandanti i KFOR-it.