Komandanti Risi shprehu gatishmërinë e tij për bashkëpunim çdoherë

Komandanti Risi shprehu gatishmërinë e tij për bashkëpunim çdoherë

Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, ka pritur sot në takim komandantin e KFOR-it në Kosovë, Michele Risi, ku kanë biseduar për situatën e sigurisë dhe zhvillimet e tjera në komunën e Klinës.

Kryetari Elezaj uroi komandantin Risi për marrjen e detyrës si komandanti i KFOR-it në Kosovë dhe e njoftoi atë se situata e sigurisë në Klinë është e qetë dhe nuk janë paraqitur probleme të natyrave ndëretnike.

Elezaj duke e vlerësuar bashkëpunimin e shkëlqyeshëm ndërmjet komunës dhe KFOR-it, shprehi gatishmërinë që një bashkëpunim i tillë të vazhdojë edhe në të ardhmen me qëllim të ofrimit të një ambienti më të mirë dhe të sigurt për qytetarët.

Në anën tjetër, komandanti Risi shprehu gatishmërinë e tij për bashkëpunim çdoherë që është e nevojshme.

Sipas komunikatës së komunës, kryetari Elezaj dhe komandanti Risi vazhduan vizitën në dy institucionet fetare në Klinë, myslimane dhe katolike, ku janë pritur nga prijësit fetarë, Kadri Berisha, kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame dhe Don Agim Qerkini, famullitar i Kishës, të cilët e kanë njoftuar komandantin Risi për bashkëjetesën fetare si një pasuri dhe kulturë e çmuar e popullit të Kosovës.

Komandanti Risi ka filluar mandatin e tij si komandant i KFOR-it në Kosovë në nëntor të vitit 2019 dhe kjo është vizita e parë zyrtare që bën në ndonjë komunë në vend.