Komandanti i Komandës së Forcave të Përbashkëta të NATO-s, shkon në Beograd për barrikadat

Komandanti i Komandës së Forcave të Përbashkëta të NATO-s, admirali Stuart Musch do të qëndrojë sot për vizitë në Beograd, ku do të takohet me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Musnch në një intervistë për Tanjug ka deklaruar se KFOR-i po monitoron nga afër situatën në veri të Kosovës dhe është i gatshëm të sigurojë liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet kudo në Kosovë. Ai u bëri thirrje të gjitha palëve që të veprojnë në mënyrë konstruktive, për të garantuar sigurinë dhe lirinë e lëvizjes në Kosovë.
Barrikadat e vendosura në veri të vendit tash e njëmbëdhjetë ditë vazhdojnë të qëndrojnë duke vështirësuar jetën e qytetarëve në atë pjesë, ndërsa rrugët në drejtim të kufirit të Jarinjes dhe Bërnjakut janë të bllokuara.
Serbët lokalë kanë ngritur edhe një tjetër barrikadë në “Kroin e Vitakut”, përkatësisht nga Mitrovica në drejtim të Zvecanit, duke çuar kështu numrin e tyre të përgjithshëm në nëntë.
Dyqanet janë hapur ndërkaq edhe nëpër shkolla e fakultete mësimi ka filluar të mbahet. Vërehet prezencë e shtuar e pjesëtarëve të KFOR-it në të dy drejtimet e kufijve me Serbinë.
Pjesëtarët e Policisë së Kosovës po vazhdojnë patrullimin e tyre nëpër zonat me popullatë të përzier në veri të Mitrovicës, duke ofruar rend dhe siguri për të gjithë qytetarët pa dallim.

Back to top button