“Kombëtarja e vogël” që përfaqësoi shqiptarinë në Evropë

Për të dytin vit me radhë, skuadra e Ballkanit u dëshmua si më e forta në futbollin kosovar, por përfaqësimi dinjitoz nuk mungoi as në garat evropiane. Ballkani ka tri komponentë që e bëjnë të jetë skuadër dinjitoze.

Kampionët e Kosovës, të drejtuar nga trajneri shqiptar, Ilir Daja arritën deri në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, aty ku shpresat për kalim në fazën e eliminimi direkt, u shuan vetëm në ndeshjen e fundit pas humbjes 3-0 nga Dinamo Zagrebi.

Analisti i futbollit, Alban Lumi, tha se Ballkani bën krenar gjithë shqiptarinë me paraqitjen në garat evropiane, gjë kjo e cila dukej e paimagjinueshme vetëm pak vite më parë.

“Nëse themi një kombëtare e vogël, themi më mirë një kombëtare e vogël apo një përfaqësuese sa i përket skuadrave ekipore shqiptare, mbarë shqiptarë. Kemi Ballkanin që realisht është e vetmja skuadër që vjen nga një klub shqiptar, duke përfshirë këtu edhe konkurrencën nga Shqipëria, Maqedonia apo edhe vet skuadrat tjera në përgjithësi që i ka Mali i Zi…Ballkani është skuadra e vetme në këtë pjesën tjetër Ballkanit, shteteve tona përreth që ka lënë gjurmë për dy edicione me radhë. Po besoj që është një piar i mirë i futbollit kosovar, është diçka që ‘Xhebrailat’ dhe të gjithë suharekasit as në ëndërr nuk e kanë pritur që Ballkani të jetë ajo skuadër që do t’i thyej këto barriera”, tha Lumi.

Ndërkaq, sipas trajnerit, Bylbyl Sokoli se Ballkani ka arritur në këto nivele fal një udhëheqësie dhe një trajneri tejet profesional.

“Nuk ka dyshim se Ballkani është ekipi më i organizuar në ligë, ka udhëheqësin shumë profesionale, ka trajnerë shumë profesional dhe ka futbollistë shumë cilësorë. Këto janë tri komponentë që duhet plotësuar që të jesh në arenën ndërkombëtare dhe që të jesh rival i denjë në një Ligë të Konferencës e cila fatmirësisht është në këtë grup ku ekipet e Kosovës mund ta thonë fjalën e vet…Ballkani tashmë ka idenë e qartë se si fitohet titulli, si luhet në Evropë dhe kjo është përparësi e madhe. Nuk dyshoj që Ballkani është favoriti kryesor për ta fituar kampionatin, është herët për të thënë se është kampion, diferenca është mjaftë e madhe në gjysmën e parë të këtij edicioni. Mendoj që është afër titullit të ri dhe kjo e bën që Ballkani të ketë organizim në vazhdimësi dhe rezultate në vazhdimësi”, theksoi Sokoli.

Madje, në shumë raste, Ballkani është quajtur edhe si “kombëtarja e vogël e Kosovës”, epitet të cilin komentatori sportiv, Arbër Loxha e konsideron si plotësisht me vend.

“Me shumë të drejtë është quajtur Ballkani si një mini kombëtare e Kosovës, pasi promovimi i emrave të mëdhenj të rinj të futbollit të Kosovës më së shumti janë bërë përmes klubit të Ballkanit, pasi ata bënë një prezantim dinjitoz në garat evropiane dhe kjo ka ndikuar që ata të kenë një ekspozim shumë më të mirë dhe një matje me kundërshtarët tjerë shumë më të mirë se sa që do ta kishin në ligën vendore dhe kjo menjëherë ka hapur sytë jo vetëm të federatës, por ka hapur sytë edhe të federatave përreth të cilat janë gati t’i japin pasaportën disa preh shqiptarëve tanë siç me Shqipërinë, sytë i ka edhe Maqedonia e Veriut, por mund të them edhe Mali i Zi”, tha Loxha.

Por, një vazhdimësi e tillë e kësaj skuadre, sipas analistit, Alban Lumi, nuk do të jetë e lehtë të ruhet, pasi Ballkani rrezikon të humb disa nga lojtarët kryesor të cilët po kërkohen nga skuadra të ndryshme jashtë vendit.

“Ballkani ka arritur që për katër vite të krijojë një skuadër serioze dhe më pas të rrëmbejë edhe dy tituj. Me ardhjen e Ilir Dajës, skuadra sikur u komponua më mirë dhe motivimi dhe çdo gjë në mesin e çdo reparti si brenda skuadrës e po ashtu edhe çdo segment në klub funksionoi më mirë…Por, megjithatë, duhet cekur se në rast të largimit edhe të disa lojtarëve të tjerë, siç flitet mesfushori Zyba, qendërmbrojtësi Dellova, por edhe krahu i djathtë mbrojtës, Thaçi, atëherë skuadra do të pësojë ndryshim dhe do të jetë një sfidë e madhe për Ilir Dajën dhe vet skuadrën e Ballkanit, se sa do të arrijë të inkorporojë lojtarë të rinjë në skuadër që në pranverë ta thotë fjalën kryesore, siç e tha edhe në pjesën e parë të këtij edicioni”, theksoi Lumi.

Ndryshe, edhe në këtë edicion Ballkani po vazhdon të tregohet si skuadra më e fuqishme në elitën e futbollit kosovar dhe është në rrugën e duhur drejt titullit të tretë të kampionit./kp

Back to top button