Kombëtarja U18 e Kosovës në hendboll paraqitet në IHF Trophy Intercontinental

Kombëtarja U18 e Kosovës në hendboll (vajzat)  sonte udhëton për në Tashkent të Uzbekistanit.

Në Uzbekistan, Kombëtarja jonë do të paraqitet në IHF Trophy Intercontinental që mbahet prej 28 shkurtit deri më 3 mars.

Finalistët kualifikohen në Kampionatin Botëror që mbahet në verë.

Kombëtarja U18 është grumbulluar më 21 shkurt, ndërsa gjatë fazës përgatitore i ka luajtur tri ndeshje stërvitore.
Kosova U18 është në grup me Guatemalën dhe Uzbekistanin.

Në grupin tjetër janë Guadalupe, Kaledonia e Re dhe Nigeria.

Më 29 shkurt, Kosova luan me Uzbekistanin. Më 1 mars është ndeshja me Guatemalën. Më 2 mars janë ndeshjet gjysmëfinale dhe ndeshja për vend të pestë.

Ndërsa ndeshja për vend të tretë dhe finalja janë më 3 mars.

Kryetrajneri i Kosovës U18, Mitat Ferati është i kënaqur me gjendjen e Kombëtares.
“Përgatitjet ishin shumë të mira. I kemi luajtur tri ndeshje që na kanë shërbyer shumë. Është me shumë rëndësi që gjatë përgatitjeve nuk kemi pasur ndonjë lëndim. Na mungojnë vetëm vajzat që nuk kanë mundur të grumbullohen fare. Në përgjithësi jam i kënaqur me gjendjen e ekipit në prag të udhëtimit”, ka thënë Ferati.

Ai ka konfirmuar ambiciet e mëdha.

“Qëllimi është të sigurojmë kualifikimin në Botëror, natyrisht. Shkojmë për të fituar të gjitha ndeshjet. Jemi prej favoritëve dhe këtë duhet ta konfirmojmë me lojëra të mira. Natyrisht ndeshja e parë është shumë e rëndësishme për motivimin e ekipit. Shpresojmë të nisim mbarë dhe të vazhdojmë deri në fund”, ka shtuar Mitat Ferati.

Back to top button