Komedia “Swiss Connection” jepet premierë në Zürich

 
Komedia “Swiss Connection” e dramaturgut Jeton Neziraj do të ketë premierën botërore, këtë të shtune, në teatrin Winklewiese në Zurich. Regjinë e saj e ka bërë Manuel Bürgin, kurse luajnë Aurita Agushi, Nina Mariel Kohler, Adrian Morina dhe Christoph Rath.
Në shfaqje, Këmbëshpejti, personazhi i dramës sonë, bënë një jetë të dyfishtë në Cyrih. Ai është martuar me zviceranen Sara. Dhe derisa ditën pjekë bukë, natën ndërsa mobilizon bashkëatdhetarët e tij për “çështjen kombëtare”. Ai prandaj përndiqet nga shërbimi sekret jugosllav. Kur Sara, gruaja e tij, i kupton të gjitha këto, situata komplikohet: A do largohet prej tij ajo apo ajo do bëhet madje bashkëluftëtare me të? Jeton Neziraj, në këtë ‘komedi krimi’, flet për këtë grup idealistësh, të cilët në vitet 90-ta, nga nëntoka e Zvicrës planifikuan çlirimin e Kosovës dhe krijuan aleancë ushtarake me NATO-n. Neziraj zbulon botën misterioze të kësaj lëvizjeje çlirimtare dhe bashkon neutralitetin zviceran me bombat që eksplodojnë, dhurimin e milionave për ‘çështjen’ dhe planifikimin ‘symbyllurazi’ të luftës.
Projekti u krijua në kuadër të bashkëpunimit të financuar nga Pro Helvetia, me titullin artistik “The Albanians, the Hungarians, the Serbs, the Swiss and some other little Details OR: Where is Home?”. Një projekt ky ndërmjet katër teatrove bashkëprodhuese nga Serbia, Kosova dhe Zvicra.
Skenografe dhe kostumografe e shfaqjes është Luisa Beeli, muzikën e ka komponuar Dominik Blumer, kurse dramën në gjermanisht e ka përkthyer Zuzana Finger./21Media

Back to top button