Kompromisi politik thelbi i krizës institucionale?

Në kohën kur e gjitha vëmendja është tek ndonjë vendim i Gjykatës Kushtetuese, kompromisi politik mes partive po shihet si e vetmja rrugëdalje për zgjidhjen krizës institucionale.

Këtë së fundmi e shprehu edhe ambasadorit të  Britanisë së Madhe në Kosovë Hargreaves. Por nënkryetari i Partisë Guxo, pjesë e koalicionit më Lëvizjen Vetëvendosje, Haxhi Avdyli, thotë se si koalicion fitues i kanë bërë të gjitha kompromiset e nevojshme për zhbllokimin e ngërçit që partitë ish-opozitare janë treguar destruktive.

Sipas tij, tanimë duhet pritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të cilin thotë se do ta respektojnë.

“Koalicioni ynë fitues ka bërë kompromiset e nevojshme për krijimin ei institucioneve duke përfshirë ftesat për koalicion ndaj LDK-së dhe nismës… por kjo ka hasur në vesh të shurdhër. Përveç Nismës partitë opozitare janë treguar  shumë destruktive në kuptimin e  ofrimit të një zgjidhjeje për krijimin e institucioneve të Kosovës. Ishte bllokadë e panevojshme dhe lehtë e zgjidhshme vetëm duhej  vullneti I partive por si duket inati dhe trauma e humbjes që  kanë pësuar partitë  opozitare s’po mund ta gëlltitin  dhe në këtë rast më së shumti po humbë Kosova . Dhe ne si parti fituese kemi dhënë gjitha opsionet e nevojshme ,.. si votimi i hapur, ai I mbyllur …u refuzuan ftesat për bashkëpunim dhe gjitha mundësitë dhe jemi këtu ku jemi dhe tani duhet të presimi verdiktin e Gjykatës dhe çka do që ai te jetë do të respektojmë dhe do të vazhdojmë më tutje”, tha Avdyli për RTV21.

Në anën tjetër partitë e deritashme opozitare nuk ishin të qasshme që të flasin sa i parket kësaj çështjeje.

Në një intervistë të publikuar të mërkurën nga Radio Gorazhdevci, diplomati britanik, Jonathan Hargreaves, tha se është detyrë e partive politike që të bien dakord për rrugën përpara, duke shtuar nevojën për kompromis mes tyre.

Incizimi: Jonathan Hargreaves, ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë

“Sipas mendimit tim, ende jemi në një fazë ku pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Megjithatë, në fund të fundit, kjo është një çështje që duhet të zgjidhet përmes kompromisit politik ndërmjet partive. Kjo është në thelb zemra e problemit. Kushtetuta dhe ligjet përbëjnë kuadrin, por është detyrë e partive që të bien dakord për rrugën përpara”, tha  Hargreaves.

Pas 54 përpjekjeve, të shtunën e kaluar deputetët dështuan ta konstituojnë Kuvendin me gjithë aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese për ta përmbushur këtë obligim brenda afatit 30 ditësh.

Ish-diplomati, Avni Arifi thotë se kompromisi është baza e një stabiliteti institucional por sipas tij, ai nuk duket në horizont marrë parasysh siç thekson mosgatishmërinë e LVV-së për një gjë të tillë.

Që nga e diela e deri më 8 gusht është në fuqi masa e përkohshme e Gjykatës Kushtetuese e cila ndalon çdo vendim dhe veprim të deputetëve pas përfundimit të afatit për konstitutim./RTV21/21Media

Back to top button