Komuna e Gjakovës padit Dragica Gashiqin
Komuna e Gjakovës ka dorëzuar një padi në Gjykatën Themelore të Gjakovës, me anë të së cilës kërkohet “anulimi i kontratës për dhënien me qira të banesës me kërkesë për masë të përkohshme”, për Dragica Gashiq, e cila në fillim të qershorit të këtij viti, u bë serbja e parë që u kthye për të jetuar në këtë komunë.
Vendimin për dhënien e banesës Dragica Gashiqit, më 1997, në kohën e pushtetit serb, e kishte marrë Kuvendi i atëhershëm Komunal i Gjakovës. Banesa i ishte dhënë me qira, për një periudhë të pacaktuar kohore, thuhet në kontratën e publikuar nga subjekti politik, Alternativa i Mimoza Kusari-Lila, e cila është pjesë e ekzekutivit.
Zëdhënësi i gjykatës, Lekë Muqaj ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se paditësja, Komuna e Gjakovës, në këtë gjykatë ka parashtruar padi kundër D.G., me adresë të panjohur, duke kërkuar që të paditurës t’i caktohet përfaqësues ligjor i përkohshëm, pasi që të njëjtës nuk i dihet vendbanimi.
“Gjykata Themelore në Gjakovë ka nxjerrë aktvendim duke e detyruar paditësen, Komunën e Gjakovës, që në emër të paradhënies për shpenzimet e përfaqësuesit të përkohshëm, brenda afatit prej tri ditëve, të deponojë në arkën e kësaj gjykate, shumën e të hollave në lartësi prej 1.000 euro, nën kërcënimin e pasojave ligjore”, ka deklaruar Muqaj. Ai ka shtuar se pasi komuna të ketë përmbushur detyrimet e saja, gjykata do të zhvillojë procedurën kontestimore mes palëve.
Nga kabinet i kryetarit të Komunës së Gjakovës, Adrian Gjini, nuk kanë dashur të komentojnë për këtë rast./REL