Komuna e Lipjanit: Kontratat për stadiumin në Magure janë publike

Komuna e Lipjanit ka reaguar pas arrestimit të nëntë zyrtarëve që dyshohet për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit” dhe veprën penale të “Mashtrimit”.
Sipas tyre, janë informuar nga mediat për rastin duke thënë se për stadiumin në Magure, të gjitha kontratat janë publike që nga koha kur janë nënshkruar dhe janë në websajtin e komunës.
“Duke përcjellë mediat dhe portalet, ndonëse zyrtarisht asnjë informatë si institucion i komunës dhe si kryetar i komunës nuk e kemi, konsiderojmë dhe deklarojmë për qytetarët lipjanas dhe opinionin se absolutisht, nuk duam të interferojmë në punën e organeve të drejtësisë as të paragjykojmë epilogun por ju informojmë së nëse është fjala për stadiumin në Magure, të gjitha kontratat janë publike që nga koha kur janë nënshkruar dhe janë në websajtin e komunës”, thuhet në njoftim.
Komuna sqaron se “dheu i shembur si pasojë e reshjeve të shiut në janar 2021 në stadiumin e Magurës, ka dëmtuar rrethojat e qendrës së azilit në Magure, dhe pas kësaj shembje, komuna dy herë ka publikuar procedura për të riparuar atë shembje dheu nga reshjet dhe në të dy rastet të dy operatoret e kontraktuar (njoftimet janë publike në websajt) nuk kanë kryer punimet dhe nuk janë paguar për punët e pakryera”.

Back to top button