Komuna e Mitrovicës: Ministria e Financave ka ngritur normën tatimore, pas rivlerësimit të pronave

Drejtoria për Buxhet dhe Financa e Komunës së Mitrovicës ka bërë një sqarim lidhur me normat e reja tatimore.
Sipas kësaj drejtorie ata më 23 janar kanë pranuar informatë nga Departamenti i Tatimit në Pronë i Ministrisë së Financave se janë përgatitur faturat e tatimit në pronë për vitin 2023.
“Lidhur me rritjen e çmimit të faturës për Tatimin në Pronë, Drejtoria për Buxhet dhe Financa sqaron për të gjithë qytetarët se Komuna e Mitrovicës nuk e ka ngritur normën tatimore, por është bërë rivlerësimi i pronave nga Departamenti përkatës i Ministrisë së Financave dhe Transfereve dhe me këtë rast është rritur vlera e pronave bazuar edhe në çmimet e tregut”, thuhet në reagim.
Nga kjo komunë theksojnë se fatura e tatimit në pronë përmban dy elemente mbi bazën e të cilave përcaktohet shuma e kësaj pagese dhe ato janë: “Vlera e pronës për metër katror (m/2) e cila përcaktohet nga Ministria e Financave dhe Transfereve (Departamenti i Tatimit në Pronë) dhe Norma tatimore e cila përcaktohet nga Komunat”.
“Ndërsa sa i përket normës tatimore e cila përcaktohet nga komuna është në vlerën minimale për të gjitha kategoritë e pronave”.

Ministria e Financave dhe komunat në vend kanë fajësuar njëra-tjetrën për ngritje të vlerës së tatimit në pronë. Përderisa Komunat kanë thënë se fajtore për shtrenjtim të tatimit në pronë është rivlerësimi i pronave nga Ministria, ministri Hekuran Murati ka thënë se komunat kanë qenë në dijeni e se s’kanë pasur vërejtje./21Media

Back to top button