Komuna e Prishtinës jep detaje për RTV21 për projektin parcial në rrugën “A”

Kreu i Prishtinës, Përparim Rama në koordinim me Drejtorinë e Investimeve Kapitale dje morën vendim për inicimin e projektit parcial të rrugës “A”, e cila siç ka thënë kryetari do të ndihmojë dukshëm në shkarkimin e trafikut që “Prishtina të frymojë më lirshëm”.
Zyrtari i lartë për ndërtim urban në Komunën e Prishtinës, Halil Fejziu për portalin rtv21.tv ka treguar më shumë se çfarë përfshinë ky vendim.
“Rruga “A” ka gjatësin e tërsishme prej rreth 5924.0m’ dhe nga kjo gjatësi duke u bazuar në mundësit buxhetore të planifikuara për vitin 2022 në fundëvitin e kaluar është vendosur të përgatitet projekti parcial i segmentit sipas buxhetit të planifikuar në gjatësin prej rreth 1200.0m’ me të cilën gjatësi do të fillonte realizimi i punimeve të segmentit të parë të rrugës “A” !”, ka thënë ai në një përgjigje me shkrim.
Se kur pritet të fillojë ky projekt dhe sa do të zgjasin punimet, ende nuk dihet!
Fejziu për portalin rtv21.tv ka thënë se Komuna e Prishtinës përkatësisht Drejtoria për Investime Kapitale dhe Menaxhim të kontratave (D.I.K.M.K) është duke përgatitur materialin për ofertim dhe posa të kenë gati llogaritjen për këtë segment, ky material do të dërgohet në procedura të Prokururimit. Kurse sa i përket afatit se sa do të zgjasin punimet, ai ka thënë se gjatë kësaj faze janë duke e analizuar edhe planin dinamik për përfundimin e punimeve për këtë segment duke u bazuar në pozicionet e parapara për realizim.
Por, sa do t’i kushtojë Komunës së Prishtinës ky projekt, zyrtari i lartë për ndërtim urban, Halil Fejziu nuk ka dhënë shifra, duke thënë se janë në fazën e përgatitjes.
“Po ashtu jemi duke llogaritur vlerën e punëve sipas pozicioneve për këtë segment dhe vlera e përafërt do të dihet me përfundimin e paramasës me parallogari me të cilën jemi në fazën e përgatitjes”, ka thënë Fejziu.
Rruga “A” është projekt i nisur qe një kohë të gjatë dhe vazhdimisht është përmendur si premtim për të shkarkuar trafikun në kryeqytet.
Kjo rrugë parashihet të lidhë lagjet “Mati 1”, “Veternik” dhe “Kalabria”./21Media

Back to top button