Komunat me realizim të ulët të buxhetit për investimet kapitale

Prezantohen të gjeturat e raportit “Menaxhimi i parasë publike në sytë e Auditorit të Përgjithshëm”

Komuna e Prizrenit, Suharekës, Ferizajt, Lipjanit, Podujevës dhe Istogut, gjatë vitit 2017 janë ballafaquar me probleme sistematike që lidhen me menaxhimin e parasë publike, madje probleme kanë pasur edhe me realizimin e buxhetit për investime kapitale.

Kështu është bërë e ditur sot gjatë prezantimit të raportit “Menaxhimi i parasë publike në sytë e Auditorit të Përgjithshëm”, i cili është bërë nga Instituti Demokratik i Kosovës dhe OJQ-të partnere.

Në këtë raport është analizuar edhe implementimi i rekomandimeve të auditorit nga këto gjashtë komuna.
Me këtë rast, Diana Metushi Krasniqi nga KDI, ka thënë se është e nevojshme që të instalohen mekanizma të cilët sigurojnë zbatimin e rekomandimeve.

“Edhe pse raportet vjetore të rregullsisë së Auditorit të Përgjithshëm vazhdojnë të shpërfaqin shkelje të njëjta vit pas viti dhe mos adresimin e rekomandimeve nga vitet paraprake, ndërsa organizatat buxhetore mbeten imune ndaj ndëshkimeve. Prokuroria e shtetit është i vetmi autoritet që mund të veprojë në rastet e shkeljeve të vazhdueshme dhe të fillojë hetimet penale kundër kryetarit të komunës dhe zyrtarëve të tjerë të cilët obligohen të implementojnë rekomandimet e auditorit”, ka deklaruar Krasniqi.

Ajo ka shtuar se janë një numër i gjetjeve të cilat përsëriten nga viti në vit, e që sipas saj shpërfaqin problemet lidhur me planifikimin dhe shfrytëzimin e buxhetit, menaxhimin e subvencioneve, menaxhimin e llogarive të arkëtueshme, procedurat e prokurimit dhe faturimin apo pagesat për mallra dhe shërbime, dhe investime kapitale.

Komuna e Prizrenit gjatë vitit 2017 kishte realizuar 91 për qind të buxhetit, por në raport thuhet se ka realizim të ulët të investimeve kapitale.
Erolina Morina nga organizata ISDY, duke prezantuar të gjeturat e raportit për këtë komunë, ka thënë se kjo komunë ka probleme sistematike në menaxhimin e kontratave për investime kapitale, lidhjen e kontratave publike jashtë planit vjetor të prokurimit në kundërshtim me ligjin e prokurimit publik dhe kosto shtesë, si dhe sfida buxhetore për komunën si rezultat i planifikimit jo të saktë të projekteve.

“Një brengë tjetër që pasqyron ky raport është shfrytëzimi shumë i ulët i donacioneve të jashtme, respektivisht vetëm 28 për qind të tyre. Në kategorinë mallrat dhe shërbimet si dhe shërbimet komunale, buxheti final për mallra, shërbime dhe komunali në vitin 2017 ishte 4 milionë 516,107 euro. Prej tyre ishin shpenzuar 3,540,051 euro apo 78 për qind. Sipas raportit të auditorit, gjatë auditimit janë identifikuar dy çështje lidhur me këtë kategori, parregullsi në angazhimin e stafit për shërbime të veçanta, dhe pagesa për mallra dhe shërbime pa procedura të prokurimit”, ka deklaruar Morina.

Edhe komuna e Podujevës ka pasur probleme rreth realizimit të investimeve kapitale, ku Shpend Sopa nga organizata Ekovision, ka thënë se është një realizim i ulët i këtyre investimeve.
Ai ka përmendur disa nga mangësitë sa i përket qeverisjes në komunën e Podujevës, ku ka theksuar se një nga ato është mos zbatimi i plotë i rekomandimeve nga viti paraprak, ndarja e prokurimeve dhe përdorimi i procedurave minimale, si dhe iniciativa modeste për mbledhjen e të hyrave.

“ Raporti shpreh shqetësime rreth realizimit të ulët të investimeve kapitale diku rreth 78 për qind, me ç’rast auditori thekson se 61 për qind e buxhetit për këtë kategori janë shpenzuar në tre mujorin e fundit të vitit, e prej të cilave 36 për qind vetëm në muajin dhjetor 2017, kjo si rrjedhojë e vonesave në procedurat e prokurimit dhe kryerjen e punëve”, është shprehur ai.
Sa i përket problemeve sistematike të kësaj komune, në raport thuhet se është niveli i ulët i ekzekutimit të buxhetit, dobësia në kontrollet menaxheriale, niveli i ulët i zbatimit të rekomandimeve, etj.

Ndërsa, Bekim Krasniqi nga organizata YAHR ka prezantuar të gjeturat për komunën e Ferizajt, ku ka theksuar se edhe kjo komunë ka realizim të ulët të buxhetit sa i përket investimeve kapitale.

“Tek investimet kapitale raporti i ZKA thekson tri çështje të identifikuara, të cilat janë, tejkalim i vlerës së kontratës në raport me kornizën buxhetore për projekte, pagesa e faturave duke e shfrytëzuar buxhetin e projekteve tjera, dhe pagesa jashtë llogarisë së operatorit kontraktues. Çështjet e përbashkëta për mallrat dhe shërbimet si dhe investimet kapitale kemi dy çështje dhe ato janë, dobësi në menaxhimin e kontratave dhe mos përdorimi i E-pasurisë dhe mungesa e depos”, ka deklaruar Krasniqi.

Ai ka bërë të ditur se Komuna e Ferizajt për vitin 2017 ka shpenzuar 95 për qind të buxhetit final, ndërkohë që disa nga problemet në kategorinë e buxhetit kanë të bëjnë me lëshimin e vendimeve për leje të ndërtimit pa përfunduar pagesa e plotë e taksave, mos kryerja e obligimeve nga shfrytëzuesit e pronës komunale dhe mos kryerja e obligimeve nga bizneset dhe punësimi i 40 mësimdhënësve pa konkurs.

Komuna e Lipjanit ka realizuar 91 për qind të buxhetit për vitin 2017, ndërsa në raport thuhet se edhe kjo komunë ka realizim të ulët të buxhetit për subvencione dhe investime kapitale.
Disa nga problemet sistematike me të cilat përballet komuna e Lipjanit sipas raportit janë, niveli i ulët i verifikimit të pronave të regjistruara, parregullsitë në kalkulimin e të hyrave, parregullsitë në menaxhimin e tatimit në pronë, hyrja në obligime kontraktuale në mungesë të zotimit të fondeve, dobësi në menaxhimin e kontratave si dhe probleme me obligime te papaguara.

Realizim të ulët të investimeve kapitale për vitin 2017 ka edhe komuna e Istogut, ndërkohë që edhe në këtë komunë përsëriten problemet nga viti në vit, ku ndër më të shpeshtat janë, problemet me menaxhim të aseteve, procedurat e prokurimit dhe sigurimin e mekanizmave kontrollues të cilësisë dhe llogaridhënies.

Po ashtu, edhe komuna e Suharekës ka realizim të ulët të investimeve kapitale. Problemet sistematike në raport thuhet se janë parregullsitë në kalkulimin e të hyrave për tatimin në pronë dhe të hyrave tjera, menaxhimi jo i duhur i pasurisë, realizimi i ulët i buxhetit për investime kapitale dhe mangësitë në menaxhimin e detyrimeve ndaj furnitorëve.
Në këtë raport kanë dhënë edhe disa rekomandime për komunat, ku një ndër to është që kryetarët të komunave të zbatojnë ligjin për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, respektivisht të ndërmarrin masa disiplinore, deri te shkarkimi i zyrtarëve financiar për dështimet sistematike të konstatuara nga Auditori i Përgjithshëm.

Raporti “Menaxhimi i parasë publike në sytë e Auditorit të Përgjithshëm” është zhvilluar nga KDI, ISDY, YAHR, Syri i Vizionit dhe Ekovizioni përmes grantit nga aktiviteti i USAID-it për komuna transparente, efektive dhe llogaridhënëse.

Back to top button