Koncert në kujtim të pianistes Virgjina Damati

Nën tingujt i himnit kombëtar dhe me një minutë heshtje, sot në shkollën e muzikës “Tefta Tashko” në Mitrovicë,  u mbajt koncert dedikuar pianistes së ndjerë, Virgjina Damati.

Ajo, njëherësh u nderua edhe me mirënjohje post-mortem, për kontributin 34-vjeçar si mësimdhënëse e pianos dhe edukimin e gjeneratave të tëra në këtë fushë.

Valbona Prekazi, drejtoreshë e shkollës së muzikës “Tefta Tashko” në Mitrovicë, duke vlerësuar lartë punën dhe kontributin e të ndjerës Damati, tha se mungesa e saj do ta  përkujtojë gjithmonë boshllëkun e madh njerëzor që ka lënë për të gjithë, ndërsa virtytet e saj do ta bëjnë atë të pavdekshme në mesin e komunitetit të artistëve dhe më gjerë.

“Nuk e kisha menduar kurrë një cast si ky dhe një arsye të rëndë si kjo, për të folur për humbjen e parakohshme të Gjinës tonë.  Ajo na la përgjithmonë duke përfunduar rrugëtimin e saj 34-vjeçar në edukimin e brezave të tërë. Ishte njeri dhe kolege e mirë, profesioniste e vërtetë, shoqe besnike, mike e devotshme dhe si të tillë do ta kujtojmë përjetë. Mungesa e saj sot, na kujton boshllëkun e madh njerëzor që ka lënë për të gjithë, por virtytet e saj do ta bëjnë atë të pavdekshme në mesin tonë”, ka thënë Prekazi.

Ndërkaq, Alidin Damati, duke folur në emër të familjes, tha se bashkëshortja e tij e ndjerë, vazhdon të jetojë dhe frymojë përmes veprave dhe kujtimeve që i ka lënë.

“Qenka e vështirë të flas në emër të saj përballë njerëzve të cilët i deshi aq shumë dhe me të cilët kaloi kohën më të madhe të jetës. Kaluan më shumë se dy javë që kur Gjina nuk është më në mesin tonë, qoftë edhe fizikisht për t’ju ndihmuar në organizime, siç bënte dikur, edhe pse shëndeti e kishte rënduar. Mirëpo, ajo vazhdon të jetojë dhe frymojë përmes punës, veprës dhe kujtimeve që na ka lënë”, theksoi mes tjerash Damati.

Back to top button