Koncerti i Yll Limanit, Policia del me njoftim për masa të veçanta në trafik

Policia e Kosovës ka dalë me njoftim për masat e sigurisë rreth koncertit dyditor të këngëtarit Yll Limani që pritet të nisë sonte, më 24 korrik, në qendrën tregtare Prishtina Mall.
“Ju njoftojmë se, me datën 24 dhe 25 korrik 2026, për shkak të një aktiviteti të paralajmëruar (koncert) në Prishtina Mall, nga ora 16:00 deri në përfundim të aktivitetit do të zbatohen masa të veçanta për menaxhimin e trafikut”, thuhet në njoftimin zyrtar të policisë, që është publikuar në rrjetin social Facebook.
Me qëllim të lehtësimit të qarkullimit dhe shmangies së ngarkesave në trafik, policia ka bërë të ditur që qytetarët që udhëtojnë në relacionin Prishtinë- Shkup dhe anasjelltas, luten që gjatë kësaj periudhe të përdorin Autostradën “Arbën Xhaferi”, për të shmangur vonesat dhe ngarkesën në trafik.
Për ata që do të shkojnë në koncert, është organizuar transport falas nga Trafiku Urban.
“Për vizitorët e koncertit janë organizuar autobusë falas të Trafikut Urban, me nisje nga Prishtina drejt Prishtina Mall dhe anasjelltas”, thuhet tutje në njoftim.
Sa i përket automjeteve që lëvizin nga Prishtina në drejtim të Prishtina Mall, pasi të kalohet rrethi i lagjes “Marigona”, do të vendosen kona në shiritin e majtë të qarkullimit, i cili do të rezervohet për vizitorët e koncertit.
Po ashtu, në njoftim thuhet se automjetet që vijnë nga Ferizaj në drejtim të Prishtina Mall, do të vendosen kona në shiritin e djathtë, ndërsa hyrja për vizitorët do të realizohet përmes rrugicës në të djathtë, para se të arrihet te rrethi i Prishtina Mall.
Policia e Kosovës ka kërkuar mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e të gjithë qytetarëve, si dhe respektimin e udhëzimeve të zyrtarëve policorë dhe sinjalizimit të përkohshëm rrugor, me qëllim të garantimit të sigurisë dhe mbarëvajtjes së trafikut.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?