Konfirmohet aktakuza ndaj deputetit Valon Ramadani

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka konfirmuar aktakuzën ndaj deputetit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Valon Ramadani.
Ai akuzohet për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës dhe pengimin e personave zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare. Gjykata Themelore në Prishtinë e ka refuzuar si të pabazuar dhe të pambështetur në gjendjen reale kërkesën për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave, të ushtruara nga mbrojtësi i të akuzuarit Ramadani, avokati Naser Sopjani.
Sipas këtij vendimi, gjykata ka konstatuar se pretendimet e mbrojtjes janë të paqëndrueshme, të paargumentuara dhe të pambështetura në ndonjë arsye konkrete.
Tutje, në vendim thuhet se nuk qëndrojnë pretendimet e mbrojtjes se në rastin konkret nuk janë përmbushur kushtet esenciale të veprave penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Pengim i personit zyrtar, në kryerjen e detyrës zyrtare”.
“Pas shikimit me kujdes të shkresave të lëndës gjykata konstatoi se duhet të refuzohet kërkesa për hedhjen e aktakuzës e cekur më lartë, si e pa mbështetur në gjendjen reale dhe në provat e bashkëngjitura, ngase provat e grumbulluara japin bazë të mjaftueshme për dyshim të bazuar mirë se i akuzuari i ka kryer veprat penale të cilat i vihen në barrë dhe ka bazë për ngritjen e aktakuzës aktuale, ndërsa provat e propozuara në aktakuzë dhe mbrojtjen e tyre gjykata do t’i vlerësojë në shqyrtimin gjyqësor, për çka kërkesa për hedhjen e aktakuzës është e pabazuar”, thuhet në vendimin e siguruar nga Betimi për Drejtësi.
Mbrojtësi i të akuzuarit Ramadani, avokati Naser Sopjani ka thënë se vendimi i shkallës së parë nuk është i drejtë.
“Vlerësojmë se ky vendim i gjykatës nuk është i drejtë dhe nga ana e saj nuk janë analizuar në mënyrë të plotë argumentet e paraqitura në kërkesën e mbrojtjes”.
Ai tha se kjo mënyrë e të vendosurit në këtë fazë është bërë praktikë e gjykatës.
“Është bërë një praktikë e gjykatës kur në këtë fazë, zakonisht në këtë mënyrë vendosë gjykata. Për të thënë të drejtën, e kemi pritur një vendim të tillë të gjykatës, sepse po mjafton për të kur arsyeton vendime të tilla me fazën që provat e propozuara në aktakuzë dhe vlerësimin e tyre si dhe mbrojtjes gjykata do ta bëjë në shqyrtim kryesor. Edhe në këtë rast kemi një arsyetim të tillë”, ka deklaruar Sopjani.
Në fund, avokati ka bërë të ditur se lidhur me këtë vendim do të bëjnë ankesë në Gjykatën e Apelit.

Back to top button