Konfirmohet aktakuza për Nenad Rikalon dhe të tjerët

 

 

Gjykata e Apelit e ka vërtetuar aktakuzën për korrupsion ndaj ish-ministrit në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), Nenad Rikalo, sekretarit të përgjithshëm i kësaj ministrie, Kapllan Halimi dhe gjashtë zyrtarëve tjerë, Shefki Zeqiri, Ekrem Gjoka, Shkelzen Morina, Leon Thaçi, Lindar Krasniqi dhe Albana Zeqiri.

Ankesë ndaj vendimit të gjykatës së shkallës së parë për konfirmim të aktakuzës kishin bërë mbrojtësit e të akuzuarve Kapllan Halimi, Shefki Zeqiri, Ekrem Gjoka, Shkëlzen Morina, Leon Thaci, Lindar Krasniqi dhe Albana Zeqiri, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në aktvendimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi” thuhet se Gjykata e Apelit pas shqyrtimit të shkresave të lëndës dhe vlerësimit të pretendimeve ankimore në ankesa, kishte gjetur se ankesat janë të pabazuara.

Në vendim të saj thuhet se sipas vlerësimit të Gjykatës së Apelit, pretendimet e mësipërme ankimore nuk janë të bazuara.

“Sepse me aktvendimin për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provës, gjykata e shkallës së parë është kujdesur dhe ka vlerësuar në mënyrë të drejtë duke dhënë arsye të mjaftueshme se aktakuza e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës PPS.nr.55/2019 të datës 26.12.2019, e në bazë të gjendjes faktike të aktakuzës dëshmohet se ka prova të mjaftueshme për të mbështetur dyshimin e bazuar mirë se të akuzuarit janë të përfshirë në kryerjen e veprave penale për të cilat akuzohen, ndërsa tani për tani nuk ka argumente bindëse dhe që nuk përmbajnë asnjërën prej bazave ligjore për të cilën mund të kundërshtohet aktakuza, ashtu siç kërkohet me dispozitat e nenit 250 par. 1 nënpar.1.1, 1.2, 1.3 dhe 1.4 të KPPK-së”, thuhet në vendim.

Tutje, thuhet se sipas vlerësimit të kësaj Gjykate në aktvendimin e kundërshtuar, Gjykata e shkallës së parë ka dhënë në mënyrë të zgjeruar arsye lidhur me dyshimin e bazuar rreth provave të kundërshtuar dhe drejtë ka vërtetuar se ekzistojnë prova të mjaftueshme të pranueshme në aspektin ligjor.

Sipas Apelit, nga veprimet e ndërmarrja nga ana e të pandehurve, prokuroria ka dëshmuar me prova materiale të cila i ka propozuar në aktakuzë (faqe 4 dëshmitarët, si dhe provat për administrim në shqyrtim gjyqësore faqe 4-5), se të pandehurit kanë kryere veprën penale për të cilën po akuzohen, dhe se nga veprimet e përshkruara në aktakuzë, tani ekzistojnë elementet qenësore të veprës penale për të cilat janë akuzuar te pandehurit, dhe se ka prova të mjaftueshme që vërtetojnë dyshimin e bazuar mirë me te cilat i ka propozuar prokuroria në aktakuze si të cekura më lartë.

Apeli është deklaruar edhe lidhur me pretendimet e tjera në ankesa se në shkresat e lëndës nuk ka prova të mjaftueshme të cilat mbështesin dyshimin e bazuar mirë se te akuzuarit kanë kryer veprën penale me të cilat ngarkohen sipas aktakuzës.

“Sipas vlerësimit të kësaj Gjykate, këto pretendime nuk përmbajnë asgjë konkrete përveç atakimit të aktakuzës në mënyrë të përgjithshme, mandej procedura penale është në fazën pas ngritjes së aktakuzës dhe se a do të vërtetohet fajësia e saj, mbetet të shqyrtohet gjatë fazave të ardhshme të procedurës penale dhe shqyrtimit kryesor të çështjes, e që në këto faza të procedurës penale fajësia nuk mund të supozohet as nga Gjykata e as nga palët. Lidhur me të pretendimin e mbrojtësit të akuzuarës Albana Zeqiri, se e njëjta nuk ka pasur pozitë zyrtare për faktin se ka qenë e angazhuar me kontratë mbi vepër, kjo Gjykatë gjen se pavarësisht mënyrës së punësimit së personit, përderisa kryen detyra zyrtare dhe i besohet një detyrë zyrtare nga vartësit, konsiderohet se personi është person zyrtar”, thuhet në vendim.

Back to top button