Konfiskohen mbi 8500 euro të falsifikuara, arrestohen tre të dyshuar në Prishtinë

Janë arrestuar tre të dyshuar për përfshirje në veprën penale “falsifikim i parasë”.

Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), përkatësisht Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike, të mbështetur edhe nga institucionet e tjera të zbatimit të ligjit dhe në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, për një periudhë disa mujore, kanë zhvilluar hetime ndaj disa personave nën dyshimin e përfshirjes në veprën penale “falsifikim i parasë”.

Në njoftim thuhet se, “pas grumbullimit të dëshmive e fakteve, policia sot ka realizuar një operacion policor, gjatë të cilit ka rezultuar që në flagrancë të arrestohen tre të dyshuarit: E.H., (mashkull kosovar, viti i lindjes 2003), E.H., (mashkull kosovar, viti i lindjes 2000) dhe L.U., (mashkull kosovar, viti i lindjes 2003). Të dyshuarit janë arrestuar dhe si provë materiale janë konfiskuar: 4296 copë monedha metalike nga 2 €, (4296X 2=8592 euro), një automjet dhe katër telefona celular”. 

Të dyshuarit janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës dhe ndaj tyre është iniciuar rasti “falsifikim i parasë”.

Rasti është trajtuar në koordinim me organet e drejtësisë (Prokurorinë Themelore në Prishtinë) dhe me aktvendim nga këta të fundit, tre të dyshuarit dërgohen në mbajtje deri në 48 orë./21Media

Back to top button