S’ka kuorum, përfundon seanca

(Lajm i përditësuar)

S’ka kuorum, përfundon seanca

Ka përfunduar seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës, në mungesë të kuorumit në vendimmarrje.

Pas miratimit të një sërë projektligjesh gjatë seancës së enjtes, mazhoranca nuk mundi të sigurojë kuorumin e mjaftueshëm për miratimin e Projektligjit për mbrojtjen e konsumatorit, ku përkundër disa tentimesh nuk pati vota për miratimin e tij.

Kjo bëri që kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca të mbyll punimet e seancës së sotme, derisa pikat e mbetura në rend të ditës pritet të vazhdojnë në seancën e radhës.

​Miratohet projektligji, zhbllokohen të hyrat vetanake të komunave

Kuvendi i Kosovë, me 81 vota për, ka miratuar Projektligjin për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Buxhetin 2023, që i hap rrugë zhbllokimit të të hyrave vetanake të komunave për vitet e kaluara.

Po ashtu, deputetët e legjislativit i zgjatën mandatin Komisionit At-hoc për procesin e vettingut dhe miratuan Projektligjin për plotësim-ndryshimin e Ligjit për minierat dhe mineralet.

Ndërkaq, Kuvendi dështoi sërish të miratohet Projektligji për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor.

​Kuvendi miratoi në lexim të dytë Projektligjin për zgjedhjet e përgjithshme

Kuvendi i Kosovës, me 79 vota për ka miratuar në lexim të dytë Projektligjin për zgjedhjet e përgjithshme. Deputetët e pozitës dhe opozitës u bënë bashkë për t’i dhënë dritën e gjelbër reformës zgjedhore, ku miratuan edhe 19 amendamente shtesë për këtë projektligj.

Miratimi i këtij projektligji erdhi me procedurë të përshpejtuar, pas miratimit në lexim të parë gjatë së enjtes.

Kuvendi ndërpreu përkohësisht punimet e seancës plenare deri në orën 17:30, për t’i dhënë hapësirë miratimit në lexim të dytë edhe të Projektligjit për ndarjet buxhetore.

Kuvendi miratoi katër marrëveshje ndërkombëtare

Kuvendi i Kosovës, me 85 vota për miratoi sot Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes financiare ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian për programin IPA 2022.

Deputetët e Kuvendit në seancën e sotme miratuan edhe tri marrëveshje ndërkombëtare me Slloveninë.

Ata i dhanë dritë të gjelbër marrëveshjes me Slloveninë për zbatimin e ndërsjellë të aktgjykimeve në çështjet penale, mbi ekstradimin dhe për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështje penale.

Pozitë dhe opozitë miratuan edhe Projektligjin për aderimin në marrëveshjen për statusin dhe funksionet e Komisionit Ndërkombëtar për personat e zhdukur.

Krahas kësaj, Kuvendi miratoi edhe Deklaratën për antisemitizmin.

Abazi: Me projektligjin për zgjedhjet ua kemi vështirësuar votimin mërgatës

Ish-deputeti i Vetëvendosjes, i cili aktualisht është deputet i pavarur, Haki Abazi ka paraqitur sot pakënaqësitë e tij për projektligjin për zgjedhjet e përgjithshme në Republikën e Kosovës.

Sipas tij, mbetja e Kosovës si një zonë zgjedhore e bën qytetarin vetëm votues e jo pjesëmarrës në proceset politike.

“Mbetja e Kosovës si një zonë zgjedhore e bën qytetarin vetëm votues dhe jo pjesëmarrës në proceset politike në Kosovës. Nuk ka asnjë kuptim që 23 pas luftës qytetari të mos ketë të drejtë të gjithë kandidatin apo kandidaten e vetë se çka ofron por të dëgjoj një listë zgjedhore të përzgjedhur nga udhëheqësi i partisë politike”, ka thënë ai.

Tutje, ish-deputeti i LVV-së, Haki Abazi ka thënë se po manipulohet me idenë se do të lehtësohet mënyra e votimit e që në fakt po vështirësohet.

“Ne e dimë sa kemi ambasada e konsullata jashtë. Është keq me u mundu me manipulua me idenë që ua kemi lehtësuar jetën bashkatdhetarëve. Ne fakt ne ua kemi vështirësuar duke menduar me iu thanë që e kemi lehtësuar..prapë po e përdorim sistemin zgjedhor për ti joshur njerëzit që të vijnë dhe votojnë dhe tu themi se kemi bërë diçka për ta por kur vije puna të përmbajtja ditën kur përfundojnë zgjedhjet harrojmë kush janë diaspora”, është shprehur ajo.

Për projektligjin për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë kanë shprehur mbështetjen të gjitha partitë politike në vend. Ndërsa, si risi në këtë projektligj është mundësia e votimit fizikisht në ambasadat e Kosovës në vendet, ku jetojnë mërgata, si dhe vota preferenciale, e cila nga 5 është rritur në 10.


​Kuvendi miratoi Projektligjin për zgjedhjet e përgjithshme

Kuvendi i Kosovës e ka miratuar në parim Projektligjin për zgjedhjet e përgjithshme në Republikën e Kosovës.

Pro këtij projektligji votuan 86 deputetë, derisa nuk pati asnjë votë kundër dhe vetëm 1 abstenim.

E për këtë projektligj i cili sjell disa risi për mënyrën e votimit për mërgatën por edhe votën preferenciale e ndryshime të tjera, shprehën konsensus të gjitha partitë politike në Kuvendin e Kosovës.


Pushtet e opozitë, njëzëri për Projektligjin për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë

Për Projektligjin për zgjedhjet e përgjithshme në Republikën e Kosovës kanë shprehur konsensusin e tyre të gjitha partitë politike në Kuvendin e Kosovës. Sipas përfaqësuesve të këtyre subjekteve politike ky projektligj mundëson përmirësimin e procesit zgjedhor duke e bërë atë më transparent.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi u shpreh se ky projektligj adreson të gjitha rekomandimet e vëzhguesve të BE.

Ai tha se përmes këtij projektligji për zgjedhjet nacionale përmirëson dukshëm procesin zgjedhor.

“Kjo nuk është një reformë zgjedhore tipike thjesht është adresim I vëzhguesve të BE dhe përmirësim të procesit zgjedhor sepse konsiderohet se Kosova nuk ka pas probleme me përfaqësimin e me sistem, por ka pasur problem me administrimin e zgjedhjeve me procesin zgjedhor për të garantuar zgjedhjet të lira e ndershme në Kosovë… Ky komision ka adresuar çdo rekomandim që përmirëson dukshëm procesin zgjedhor këto janë ndryshime ligjore, për disa prej tyre efektet do t’i shohim në zbatim e sipër por që fokusi ka qenë qëllimmirë për ta përmirësuar procesin zgjedhor në Kosovë… Ky ligj adreson shqetësimet që lidhen me listën e votuesve në Kosovë, përmirësimin dhe pastrimin e saj dhe krijimin e një liste të votuesve të saktë, pastaj lehtësinë e pjesëmarrjes së mërgatës në zgjedhje” u shpreh ai.

Ndërsa, deputeti i PDK-së, Elmi Reçica tha se ky projektligj është refleksion i konsensusit dhe kohezionit politik dhe partiak.

Sipas tij, reforma zgjedhore do të garantojë një proces demokratik ligjor dhe transparent.

“Reforma zgjedhore për gjithë qytetarët e Kosovës brenda dhe jashtë saj do të sigurojë standardet më të larta demokratike dhe do të garantojë një proces demokratik ligjor dhe natyrisht transparent, do të mundësojë forcimin e integritetit të procesit zgjedhor duke siguruar të drejtën e shenjtë të secilit pa dallim për të votuar dhe për tu votuar në mënyrë të lirë të barabartë dhe të fshehtë”, u shpreh ai.

E deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami paraqiti mbështetjen e kësaj partie për projektligjin për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovës.

E shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri tha se ky projektligj do të eliminojë disa probleme teknike që e kanë penguar demokracinë në vend.

Ndërsa, Tahiri ka shprehur mbështetjen e AAK-së për projektligjin për zgjedhjet nacionale.

“Heshtja zgjedhore tani vlen vetëm prej hapjes së kutisë së votimit. E dyta ka të bëjë me votën profesionale ka pas shumë debat se a duhet 10 në listë apo jo a e konfuzion kjo votuesin apo jo a e ndihmon apo jo kjo demokracinë, vendimi është marr mbi një arsyetim të thjeshtë duke qenë se votimi respektivisht numërimi i votave për parti ndodh në klasë në vendvotim dhe mbyllet kutia dhe pastaj të gjitha kutit shkojnë në qendër komunale… Do të anashkalohet një katrahurë e demokracisë së Kosovës që ka pasur të bëjë me tjetërsimin e votës brenda partisë… Ndaj ne e mbështesim këtë ndryshim në ligjin zgjedhor”, u shpreh Tahiri.

 


Tahiri: Projektligji për zgjedhjet i mundëson mërgatës të votojnë në tri mënyra

Në Kuvendin e Kosovës ka nisur shqyrtimi i parë i Projektligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, i cili para deputetëve të Kosovës është prezantuar si një ligj i ri dhe për të cilin grupet parlamentare kanë pas konsensus gjatë hartimit.

Ky projektligj ka sjell si risi mundësinë e votimit për mërgatën e cila do të mund të votojë edhe në ambasadat e Kosovës në vendet ku jetojnë, por edhe është rritur vota preferenciale për kandidatë, nga 5 në 10.

Në emër të përfaqësuesit të kësaj nisme legjislative, Abelard Tahiri, u shpreh se për këtë projektligj ka pasur një konsensus politik.

Ky projektligj ka gjithsej 130 nene dhe prej tyre 91 janë rishkruar.

“Pra, bashkërisht gjatë kësaj periudhe kemi arritur me ndërtuar një konsensus, frymë politike jashtëzakonisht të rëndësishme në mënyrë që të gjitha këto propozime që janë para jush janë si propozim i këtij Komisioni Ad-hock për trajtimin e reformës zgjedhore dhe assesi si propozime të ndara të grupeve parlamentare… Nga këto 130 nene, 91 janë hartuar dhe rishkruar komplet, ndërsa pjesa tjetër ka pas intervenime. Pra, sot nuk është plotësim-ndryshimi i ligjit për zgjedhjet nacionale, por është miratimi i një ligji të ri për zgjedhjet nacionale. Ky projektligj po ashtu përbëhet nga 21 kapituj. Si Komision punë e kemi ndarë në dy faza….Nga BE kemi marr rreth 40 rekomandime të cilat lidhet kryekëput me ligjin për zgjedhjet nacionale dhe jemi të lumtur që kemi arritur këto rekomandime t’i nënshtrojmë në normale ligjore”, tha ai.

Po ashtu, mërgata mund të votoj edhe përmes fahut postar që KQZ do ta hap në vendet ku jetojnë ata, por edhe përmes dërgimit të votës në Kosovë.

“ Tashmë diaspora do të ketë mundësinë të votoj në tri mënyra,. Pra, përmes këtij ligji diaspora do të ketë mundësi edhe fizikisht në ambasadat e përfaqësitë diplomatike të vendit tonë kudo që i kemi të hapura. Ky është një hap i madh jashtëzakonisht i rëndësishëm i cili që padyshim e forcon lidhjen tonë si shtet me mërgatën tonë të fuqishme….Që për herë të parë u kemi lejuar dhe mundësuar KQZ që të hap fahun postal edhe jashtë Kosovës pra kryesisht në vendet ku janë të përqendruar në diaspor. Pra qytetarët në diasporë do ta kenë mundësinë që mos të shpenzojnë shumë marramendëse për dërgimin e votës në Kosovës sepse tashmë me këtë ligj KQZ u ka mundësuar këtyre ta votën në vendet e BE aty ku do të hapet fahu postal nga KQZ. Forma e tretë është ajo e vjetra që qytetarët tanë të mërgatës mund ta dërgojnë votën e tyre edhe në Republikën e Kosovës”, tha ai.

Përmes projektligjit të rido të mund të votohet për 10 kandidatë dhe votat e kandidatëve do të numërohen në qendrat komunale të votimit.

“Vota preferenciale, pra tash e tutje me këtë projektligj vota preferenciale nuk do të jetë më 5 siç ka qenë në 10 vitet e fundit por do të jetë 10, pra 110 kandidatë sa janë në listë të propozuar nga partitë politike qytetarët do të kenë një mundësi ta bëjnë një përzgjedhje më të madhe pra numri i tyre do të shkoj në 10…për herë të parë përmes këtij ligji kemi mundësuar që votat e kandidatëve do të numërohen në qendra komunale në ditën e nesërme dhe në ditën e votimit do të nxirren rezultati përfundimtar për partitë politike ndërsa të njëjta vota do të barten në qendra komunale ku do të filloj numërimi për kandidat. Mendoj se kjo do ta përshpejtoj procesin dhe do ta ul numrin e ankesave”, theksoi deputeti Tahiri.

Në kuadër të këtij projektligji për zgjedhjet nacionale, PZAP do të jetë në kuadër të KGJK-së.

Në seancën ku po shqyrtohet në lexim të parë Projektligjit për zgjedhjet e përgjithshme në Republikën e Kosovës janë të pranishëm edhe përfaqësues nga Zyra e Bashkimit Evropian dhe Ambasada Amerikane të cilët kanë ndihmuar ligjvënësit e Kosovës për hartimin e këtij projektligji.


​Nis seanca ku pritet të shqyrtohet Projektligji për zgjedhjet e përgjithshme

Pas 30 minuta vonesë, në Kuvendin e Kosovës ka nisur seanca plenare në të cilën pritet të shqyrtohet vetëm Projektligji për zgjedhjet e përgjithshme në Republikën e Kosovës.

Pas kësaj seance, do të vazhdojë seanca e radhës e cila në rend dite ka gjithsej 22 pika, ndër to edhe 5 marrëveshje ndërkombëtare për të cilat nevojiten dy të tretat e votave të deputetëve.


Shqyrtohet Projektligji për Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë

Sot Kuvendi i Kosovës, sot do të bëj shqyrtimin e parë të Projektligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës.

Kuvendi po ashtu sot do të mbajë seancë plenare. Ku në rend ditë janë disa pika

Seanca do të fillojë me deklarimet jashtë rendit të ditës dhe pyetjet parlamentare. Pastaj do të jenë në rend ditë këto pika: Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e “Marrëveshjes financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për Programin IPA 2022”, shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Sllovenisë për zbatimin e ndërsjellë të aktgjykimeve në çështjet penale, shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Sllovenisë mbi ekstradimin, shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Sllovenisë për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështje penale, shqyrtimi i Projektligjit për aderimin në Marrëveshjen për statusin dhe funksionet e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e zhdukur, shqyrtimi i Projekt Deklaratës për antisemitizmin.

Po ashtu do të bëhet edhe shqyrtimi i kërkesës së Komisionit Ad-Hoc për Zhvillimin e Procesit të Vlerësimit Kalimtar, për zgjatjen e mandatit, votimi për emërimin e drejtorit dhe zëvendësdrejtorit të Sekretariatit Ekzekutiv të Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, votimi në parim i Projektligjit për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor, votimi në parim i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për minierat dhe mineralet, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përmbajnë procedura të veçanta administrative dhe harmonizimin e tyre me Ligjin për procedurën e përgjithshme administrative, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Kinomatografinë, shqyrtimi i parë i Projektligjit për të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta, shqyrtimi i Programit Kombëtar për Integrim Evropian 2023-2027, propozimi i një (1) kandidati për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, emërimi i dy (2) anëtarëve të Bordit Mbikëqyrës të Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës dhe zgjedhja e dy (2) anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës.

Back to top button