Kongresisti amerikan përgëzon Kosovën për marrëveshjen me MCC-në

Kongresisti amerikan, Ritchie Torres, ka uruar Kosovën për nënshkrimin e marrëveshjes me MCC-në.
Torres ka thënë se investimet amerikane janë votë besimi për të ardhmen e Kosovës si një demokraci e pavarur dhe e gjallë.
“Urime Kosovës për sigurimin e një granti prej 202 milionë dollarësh nga MCC, themeluar nga Kongresi. Investimi amerikan është një votë besimi për të ardhmen e Kosovës si një demokraci e pavarur dhe e gjallë”, ka shkruar Torres në Twitter.


Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar të enjten marrëveshjen për Programin Kompakt, i cili pritet të forcojë pavarësinë energjetike të Kosovës. Projektligji për marrëveshjen është miratuar me 89 vota në Kuvend.
Marrëveshjet ndërkombëtare ratifikohen në Kuvend me dy të tretat e votave. Kjo marrëveshje e miratuar, është nënshkruar të mërkurën në Uashington nga ministrja e Ekonomisë në Kosovë, Artane Rizvanolli, dhe drejtoresha ekzekutive e Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC), Alice Albright.
Vlera e përgjithshme e Programit Kompakt është 236.7 milionë dollarë dhe përqendrohet në projekte të energjisë./21Media

Back to top button