Konjufca: Afrim Bunjaku e dha shembullin sesi duhet të vetmohohet individi për të mirën e përgjithshme

Kreui Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca në njëvjetorin e agresionit të Banjskës dhe rënies së heroit Afrim Bunjaku, u shpreh se Bunjaku e dha shembullin më të vyer se kur atdheu rrezikohet dhe kërcënohet sesi duhet të jepet jeta dhe se si duhet të vetmohohet individi për të mirën e përgjithshme.
“Jemi këtu pra për me nderu heroin tonë Afrim Bunjakun në një vjetorin e rënies së tij. Afrim Bunjaku është heroi i cili ra heroikisht në mbrojtje të sovranitetit edhe të paprishmërisë territorial të Republikës së Kosovës. Ai e dha shembullin më të vyer se kur atdheu rrezikohet dhe kërcënohet sesi duhet të jepet jeta dhe se si duhet të vetmohohet individi për të mirën e përgjithshme, për lirinë tonë e cila duhet të kultivohet pandërprerë prej të gjithë ne. Ai e la shembullin më të vyer edhe për vëllezërit dhe motrat e tij që e vazhdojnë detyrën në Policinë e Kosovës se si duhet të veprojë njëriu në momentet vendimtare kur kërkon shteti dhe Republika. Prandaj ne do ta kujtojmë Afrim Bunjakun, ashtu siç kujtojmë Enver Zymberin i cili ra për të njëjtin qëllim 13 vite më përpara. Këto janë ideale të cilat i kultivojnë dhe i ushqejnë heronjtë tanë e të cilët ne nuk do t’i harrojmë kurrë. Lavdi Afrim Bunjakut, lavdi Enver Zymberit dhe lavdi të gjithë atyre që e dhanë jetën për lirinë dhe mbrojtjen e territorit dhe tokave tona të shenjta!”, tha Konjufca./21Media