​Konjufca: Anëtarësimi i Kosovës sivjet do të ishte simbolikë domethënëse në 75-vjetorin e KiE

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca gjatë vizitës në Këshillin e Evropës (KiE) në Strasburg, deklaroi se anëtarësimi i Kosovës sivjet do të ishte një simbolikë domethënëse me rastin e 75-vjetorit të themelimit të kësaj organizate, shënimi i së cilës do të bëhet nën Presidencën e Lihtenshtajnit.

Në ditën e dytë të vizitës, Konjufca dhe delegacioni i Kosovës kanë marrë pjesë në takime të rëndësishme me përfaqësues të KiE-së, të cilat kanë ofruar një platformë të vlefshme për të lobuar për anëtarësimin sa më të shpejtë të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Një nga takimet kyçe të zhvilluara sot ishte me presidentin e sapozgjedhur të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE), Theodoros Roussopoulos dhe sekretaren e Përgjithshme të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKiE), Despina Chatzivassiliou.

Konjufca dhe delegacioni i Kosovës përmendën të arriturat në reformën e drejtësisë, masat kundër korrupsionit dhe mbrojtjen e të drejtave të pakicave.

Ata theksuan rëndësinë e përpjekjeve të vazhdueshme për të përmirësuar pavarësinë e sistemit gjyqësor, për të luftuar korrupsionin dhe për të promovuar përfshirjen dhe barazinë për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Konjufca u takua edhe me Davor Ivo Stier, kryetar i ri i Grupit të Partisë Popullore Evropiane (EPP), me të cilin pati diskutime të frytshme për rëndësinë e integrimit të Kosovës në KiE dhe kontributin e saj në stabilitetin dhe prosperitetin rajonal. 

Po ashtu, Konjufca zhvilloi një takim me Azadeh Rojhan, raportuese për Kosovën në Komisionin për Çështje Ligjore dhe të Drejtat e Njeriut, si dhe Oleksiy Goncharenko, përfaqësues i Grupit të Konservatorëve Evropianë dhe Aleancës Demokratike, ku u shkëmbyen pikëpamje për situatën e të drejtave të njeriut në Kosovë dhe u theksua përkushtimi institucional për progresin e mëtejshëm.

Kryetari Konjufca pati edhe një takim produktiv me delegacionin kombëtar të Italisë, duke theksuar rëndësinë e marrëdhënieve bilaterale dhe bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Italisë në kuadër të procesit të anëtarësimit në KiE.

Vizita zyrtare në Këshillin e Evropës u përmbyll me takimin me Dominique Hasler, ministre e Jashtme e Lihtenshtajnit dhe kryetare e Komitetit të Ministrave. Ky takim forcoi edhe më tej lidhjet ndërmjet Kosovës dhe Lihtenshtajnit dhe nënvizoi përkushtimin për bashkëpunim shumëpalësh në kuadër të KiE.
Back to top button