Konjufca: Austria nuk është vetëm një shtet mik por edhe mbështetëse e fuqishme e Kosovës

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka pritur në takim Ambasadorin e Republikës së Austrisë në Kosovë, Georg Schnetzer.

Konjufca ka vlerësuar marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe dhe ka falenderuar Ambasadorin Schnetzer për mbështetjen e palëkundur të Austrisë ndaj Kosovës, rtv21.tv.

“Kryetari i Kuvendit theksoi se Austria nuk është vetëm një shtet mik i dëshmuar historikisht por edhe mbështetëse e fuqishme e Kosovës në të gjitha sfidat dhe rrugëtimet shtetndërtuese, duke nënvizuar njëherësh rëndësinë e vazhdimit të mbështetjes së mëtejme ndaj shtetit tonë në rrugën e integrimeve euroatlantike dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare”, thuhet në komunikatën e dërguar për media.

Tutje thuhet se në takim u shkëmbyen edhe pikëpamje përkitazi në zhvillimet politike në vend e rajon.

“Në takim, ku u shkëmbyen pikëpamje edhe përkitazi me zhvillimet politike në vend e rajon, u bisedua me theks të veçantë për bashkëpunimin në kuadër të programit për Ballkanin Perëndimor në Parlamentin Austriak, ku nëpunës të administratës së Kuvendit të Kosovës do të kenë mundësinë të marrin njohuri dhe të njihen me praktikat e Parlamentit të Austrisë”, thuhet në njoftim.

Si Kryetari, Konjufca dhe Ambasadori, Schnetzer shprehën gatishmëri për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, si dhe thellimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët ndërmjet Kosovës dhe Austrisë./21Media

Back to top button