Konjufca: BE me padurim pret të bashkëpunojë me Serbinë pro-ruse, e nuk janë të gatshëm t’i heqin masat Kosovës

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka reaguar ndaj kryediplomatit evropian Josep Borrell, pasi ky i fundit ka uruar qeverinë e re të Serbisë, pjesë e së cilës janë dy ministra të sanksionuar për korrupsion nga SHBA-ja.

Konjufca ka shkruar në rrjetin X, se BE me padurim pret të punojë me qeverinë serbe, ndërkohë që nuk dëshiron të heqë masat ndaj Kosovës, të vendosura vitin e kaluar.

“Me keqardhje dëgjohet se BE-ja po pret me padurim të punojë me qeverinë serbe, duke përfshirë zëvendëskryeministrin Aleksandar Vulin, i cili është nën sanksionet e SHBA-së për lidhjet e tij të ngushta me Rusinë, ndërsa ata ende nuk janë të gatshëm të heqin masat e padrejta kundër Kosovës”, shkroi Konjufca.

Zëvendëskryeministri i ri serb Aleksandar Vulin dhe Nenad Popoviq, ministër pa portofol janë pjesë e qeverisë së re serbe, e formuar më 2 maj me në krye Millosh Vuçeviq. Ky i fundit mori menjëherë urime nga Borrell për zgjedhjen në postin e kryeministrit.

“Paraprakisht, mezi pres të punoj me ju, ministrin e Punëve të Jashtme, Marko Gjuriq dhe anëtarët e tjerë të qeverisë, në mënyrë që Serbia të ecë përpara në rrugën e saj evropiane”, ka shkruar Borrell në X.

Ndryshe, Vulin, një ish-drejtor i agjencisë serbe të sigurisë BIA, u godit nga sanksionet e SHBA në korrik 2023 për akte korrupsioni dhe destabilizimi që kanë lehtësuar aktivitetet malinje të Rusisë në rajon.

Popoviq, një biznesmen dhe ish-ministër pa portofol, u shtua në listën e sanksioneve në nëntor 2023 për dyshimin se operonte ose kishte operuar në sektorin elektronik të ekonomisë së Federatës Ruse.

SHBA shprehu zhgënjimin që dy individë nën sanksionet amerikane u bënë pjesë e kabinetit qeverisës.

Kryeministri Vuçeviq, udhëheqës i Partisë Progresive Serbe (SNS), tha më 1 maj, se Serbia nuk do të heqë dorë nga miqësia me Rusinë dhe do të vazhdojë politikën e saj për të mos iu bashkuar sanksioneve ndaj saj për shkak të agresionit në Ukrainë.

Back to top button