Konjufca: Bëj thirrje për lirim të menjëhershëm të qytetarit tonë, Hasan Dakaj

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca e ka quajtur “të papranueshëm” arrestimin e ish-ushtarit të UÇK-së, Hasan Dakaj në Merdarë nga policia serbe.

Konjufca përmes një reagimi në “Facebook” ka bërë thirrje për lirim të menjëhershëm të Dakajt.

“Mbajtja e tij peng, vetëm pse është ish-ushtar i UÇK-së, tregon që në Serbi kemi të bëjmë me një qeveri dhe me një shtet që nuk ka ndryshuar aspak në raport me atë Serbi që bëri krime lufte, spastrim etnik dhe gjenocid në Kosovë”, ka shkruar Konjufca.

Sipas Konjufcës, ky arrestim përbën një sinjal tepër të rrezikshëm në vazhdën e ngjarjeve që tregojnë se autokracitë po sulmojnë nga të gjitha anët stabilitetin dhe paqen.

“E vetmja mënyrë e mbijetesës së tyre është shtypja e opozitës dhe demokracisë së brendshme, por dhe dëmtimi me çdo mjet i fqinjëve. Në mënyrë të përsëritur, mungesa e ndëshkimit ndaj Serbisë po e rrit numrin dhe natyrën e sulmeve të saj mbi Republikën e Kosovës dhe qytetarëve të saj”, ka thënë Konjufca.

Më tej, Konjufca ka vlerësuar se, me këtë akt qeveria serbe dëshmon se është në përputhje të plotë me politikën e regjimit të Millosheviqit.

“Akte të tilla mbi qytetarët tanë nuk do të tolerohen në asnjë mënyrë. Thirrja e komunitetit ndërkombëtar për t’i bërë presion Serbisë për lirimin e Hasan Dakajt do t’i shërbente më së miri stabilitetit dhe mundësive të së ardhmes”, ka përfunduar ai.

Së fundi, ka reaguar edhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës.MPJD ka bërë të ditur se pas njoftimit për arrestimin e dy qytetarëve të Republikës së Kosovës, Hasan dhe Xhavit Daka (ky i fundit tashmë i liruar) ka aktivizuar të gjithë mekanizmat e saj institucional. MPJD ka thënë se janë njoftuar edhe mekanizmat ndërkombëtarë për veprimet e Serbisë ndaj qytetarëve të Kosovës.

Për këtë rast MPJD thotë se është njoftuar Zyra e BE-së në Serbi, Ambasada e SHBA-së dhe ajo e Britanisë sё Madhe nё Serbi. Hasan Dakaj nga Prizreni është arrestuar sot në mëngjes në Merdarë nga policia serbe.

Avokati Xhevdet Smakiqi ka bërë të ditur përmes një njoftimi në Facebook se Hasan Dakaj, i lindur me 10.08.1980 nga Prizreni është arrestuar në Merdarë rreth orës 09:00 të mëngjesit, derisa po udhëtonte me vëllain e tij drejt Italisë.

Back to top button