Konjufca dërgon në Komisionin e Venecias Projektligjin për KPK-në

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka dërguar për mendim në Komisionin e Venecias Projektligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Ky projektligj është proceduar në Kuvend ditë më parë nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

“Duke qenë se drafti ka pësuar ndryshime që nga vlerësimi i Komisionit të Venecias, kryetari Konjufca ka kërkuar opinion për projektligjin në tërësi, duke e konsideruar si vendimtare në arritjen e objektivit për reformim të Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe adresimit të shqetësimeve dhe çështjeve të ngritura më parë”, thuhet në komunikatën nga zyra e Kuvendit.

“Si shtet anëtar i Komisionit të Venecias, Kosova mbetet e përkushtuar ndaj respektimit të parimeve themelore të demokracisë, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit”, vijon komunikata.

Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin e ri për Këshillin Prokurorial të Kosovës, pasi ai i pari u shfuqizua nga Gjykata Kushtetuese.

Kushtetuesja e pati shpallur të pavlefshëm Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, pas kërkesës për vlerësim të kushtetutshmërisë së këtij ligji nga deputetët e PDK-së dhe LDK-së.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button