Konjufca dhe Abbott biseduan për aktualitetin politik
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, priti sot në takim ambasadorin e Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott, me të cilin bisedoi për aktualitetin politik dhe bashkëpunimin të ndërsjellë.
Në këtë kuadër u vlerësuan të shkëlqyeshme marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Britanisë së Madhe, si dhe u theksua rëndësia e fuqizimit të mëtejmë të bashkëpunimit bilateral, posaçërisht në këmbimin e praktikave ndërparlamentare.
Konjufca falënderoi ambasadorin për mbështetjen që Britania e Madhe i ka dhënë në vazhdimësi Kosovës, e në veçanti Kuvendit dhe trupave të tij përcjellëse. Kryetari i Kuvendit po ashtu mirëpriti vendimin e Qeverisë britanike për emërimin e Sir Stuart Peach si i dërguar i posaçëm për Ballkanin Perëndimor.
Ambasadori Abbott rikonfirmoi partneritetin mes dy vendeve dhe vazhdimin e përkrahjes së gjithanshme ndaj Kosovës në fusha të ndryshme zhvillimore, si dhe në proceset integruese./21Media