Konjufca dhe Hovenier shprehën përkushtimin për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca ka pritur sot në takim ambasadorin e ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey M. Hovenier.
Me këtë rast, kryetari Konjufca i ka uruar mirëseardhje ambasadorit Hovenier dhe i ka dëshiruar suksese në detyrën e re.
Kreu i Kuvendit, siç është bërë e ditur në komunikatë, ka vlerësuar lart miqësinë e palëkundur dhe partneritetin shembullor me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke vënë në pah se e ardhmja e Republikës së Kosovës është në BE, NATO dhe organizatat e tjera ndërkombëtare.
Ai po ashtu ka falënderuar ambasadorin Hovenier për përkrahjen e vazhdueshme dhe mbështetjen e gjithanshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Kosovës, duke shprehur mirënjohje edhe për dhurimin e mbi gjysmë milioni të vaksinave Pfizer kundër koronavirusit.
“Në takimin e përzemërt e tejet miqësor, kryetari Konjufca dhe ambasadori Hovenier shprehën përkushtimin për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe, bashkërendimin e objektivave dhe thellimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve tona.”, është bërë e ditur në komunikatën e Kuvendit.
Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Prishtinë, Jeff Hovenier dje ka marrë zyrtarisht detyrën e tij./21Media