Konjufca: Dhunën në protestën e 10 shkurtit e shkaktuan policët e UNMIK-ut
Përkujtohen Mon Balaj dhe Arben Xheladini
Lëvizja Vetëvendosje ka përkujtuar aktivistët Mon Balaj dhe Arben Xheladini, të cilët u vranë para 12 vitesh në demonstratat e 10 shkurtit të vitit 2007.
Me këtë rast u shfaq edhe dokumentari “10 shkurti” me anë të të cilit u përkujtuan dy të ndjerët dhe ngjarja e asaj dite.
Glauk Konjufca tha se dhuna e shkaktuar në protestën e 10 shkurtit erdhi si pasojë e ndërhyrjes së policëve të UNMIK-ut.
Konjufca tha se sipas dëshmisë së një polici shqiptar, policia e UNMIK-ut u kishte thënë atyre se protestuesit po planifikojnë t’i marrin institucionet, e sipas tij, i kishe urdhëruar edhe të gjuanin protestuesit.
“Ajo protestë nuk ka pasur kurrfarë qëllimi tjetër përveçse lëvizjen e protestuesve nëpër pika të caktuara të qytetit të Prishtinës dhe me u ndalë disa minuta para secilit institucion të rëndësishëm të vendit tonë duke dhënë mesazhe të ndryshme në secilin prej këtyre vendeve”, ka deklaruar Konjufca.
Ai tha se themelimi i Lëvizjes Vetëvendosje në vitin 2005 kishte për qëllim ndërhyrjen në rrjedhat politike të asaj kohe.
“Ishim një grup i aktivistëve që menduam se është e rëndësishme të ndërhynim në këto rrjedha sepse fati i vendit tonë po vendosej”, ka thënë Konjufca.
Përndryshe, më 10 shkurt të vitit 2007 qytetarë e aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje protestuan para qeverisë kundër negociatave me Serbinë dhe kundër pakos së Ahtisarit.
Nga kjo protestë u vranë dy persona, u plagosën dhjetëra të tjerë si dhe u arrestuan aktivistë të Vetëvendosjes, në mesin e tyre edhe lideri i VV-së, Albin Kurti.