Konjufca homazhe në Likoshan e Qirez: Martirët e dëshmorët do të përkujtohen përgjithmonë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, bëri sot homazhe dhe vendosi lule në kompleksin e varrezave të Likoshanit dhe Qirezit, në përkujtim dhe nderim të civilëve shqiptarë të vrarë e të masakruar nga forcat pushtuese serbe para 26 vjetëve.
Masakrat në Likoshan dhe Qirez, kryetari Glauk Konjufca i cilësoi si një fillim të gjenocidit të shtetit të Serbisë mbi popullin e Kosovës, por njëkohësisht edhe fillimin dhe masivizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Duke kujtuar të rënët, kryetari i Kuvendit tha se ata ranë dhe u flijuan, por gjaku i tyre u bë liri dhe dritë për popullin e Kosovës.
“Do të nderohen dhe kujtohen gjithmonë të gjithë martirët e Republikës sonë, të cilët e dhanë jetën për lirinë e Kosovës, por edhe të gjithë dëshmorët që me armë në dorë e mbrojtën popullatën dhe i dolën përballë ushtrisë dhe policisë së Serbisë. Lavdi martirëve dhe dëshmorëve të kombit”, tha Konjufca.