Kaloni te përmbajtja kryesore

“Ilir Konushevci është njëra prej figurave më të rëndësishme të UÇK-së”

 

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca dhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot bënë homazhe pranë varrit të heroit Ilir Konushevci, në 23 vjetorin e rënies së tij.

Konjufca pasi bëri nderime dhe vendosi lule në vendin ku prehen eshtrat e heroit, tha se Ilir Konushevci, së bashku me doktorin Hazir Malaj, ranë këtu e 23 vite më parë, duke i shërbyer kombit të Kosovës në luftën çlirimtare.

Madje kryekuvendari, Ilir Konushevcin e quajti figurën më të rëndësishme të UÇK-së.

”Do të ishte i pamendueshëm në fillesat e veta organizimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe i luftës sonë në përgjithësi, pa kontributin e jashtëzakonshëm të Ilir Konushevcit. Prandaj, rënia e tij 23 vite më parë, në masën që është sakrificë sublime për lirinë e kombit tonë, po aq ishte edhe humbje e madhe për organizimin dhe logjistikën e Ushtrisë Çlrimtare të Kosovës. Ilir Konushevci do të përkujtohet dhe nderohet gjithmonë, si njëri prej heronjve më të rëndësishëm të luftës sonë”, theksoi kryekuvendari Konjufca”, tha Konjufca.

Sot bëhen 23 vjet nga vrasja e njërit ndër themeluesit e UÇK-së në Llap dhe njërit ndër themeluesit dhe mbështetësit e sektorit të logjistikës për UÇK-në, Ilir Konushevci. Kur pritej që përmes Ilirit në Kosovë të futeshin oficerë të lartë për në UÇK, kur në Kosovë zhvilloheshin ofensiva të ashpra dhe të cilat paralajmëronin një luftë frontale, atëherë kur pritej dhe kërkohej më së tepërmi sjellje e armatimit, derisa ishte duke kryer si çdo herë detyrën e tij me përkushtimin më të madh, Ilir Konushevci është vrarë në mëngjesin e hershëm të datës 9 maj 1998, atje ku me se paku pritej, në një pritë të organizuar nga dora e zgjatur e pushtuesit serb, së bashku me mjekun Hazir Mala, derisa ishin duke udhëtuar për në Bajram Curr, me një kamion të ngarkuar me armatim.

Vrasja e Ilirit ka shkaktuar humbje të madhe për tërë vendin e në veçanti për UÇK-në dhe shtabin e saj qendror. Ilir Konushevci në radhët e UÇK-së ka shkruar rreshta të pashlyer në historinë tonë kombëtare, ka qenë ndër themeluesit e UÇK-së në Llap dhe është njëri ndër themeluesit dhe mbështetësit e sektorit të logjistikës për UÇK-në./21Media

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button