Konjufca me Szunyog flasin për procesin e reformës zgjedhore

 

Kryeparlamentari, Glauk Konjufca ka pritur sot në takim shefin e Zyrës së BE-së në Prishtinë ambasadorin Tomas Szunyog, me të cilin ka diskutuar mbi rrjedhat politike në vend, prioritetet e Kuvendit, për çështjet që lidhen me bashkëpunimin dypalësh dhe perspektivën evropiane të Kosovës si dhe mbi procesin e reformës zgjedhore.

Konjufca e njoftoi ambasadorin Szunyog lidhur me zhvillimet e fundit të punës së Kuvendit në zbatimin e obligimeve ligjore për Programin Legjislativ 2021, draftimin e rregullores së re të Kuvendit, e po ashtu edhe për objektivat dhe planifikimet që pritet të jetësohen në punën e legjislaturës së tetë.

Ndërsa, ambasadori Szunyog ri-konfirmoi gatishmërinë e BE-së në dhënien e ndihmës së ekspertizës dhe asistencës teknike për Kuvendin e Kosovës.

Në takim u diskutua edhe mbi procesin e reformës zgjedhore dhe plotësim-ndryshimin e kornizës ligjore përkatëse, që parashihet në dokumentet strategjike të vendit në procesin e integrimit evropian, si Plani Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe Agjendës për Reforma Evropiane II – ERA II.

Bashkëbiseduesit u dakorduan për intensifikimin e bashkëpunimit në drejtim të shtyrjes përpara të agjendës së përbashkët evropiane, si dhe për avancimin e legjislacionit dhe sundimin e ligjit./21Media

Back to top button