Konjufca: Mozaiku i familjes evropiane nuk plotësohet pa Kosovën

 

Sot, me rastin e Ditës së Evropës, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka bërë të ditur se mozaiku i familjes së bashkuar evropiane nuk mund të quhet i plotësuar pa Kosovën.

”Sot është Dita e Evropës, ditë kjo që ka hyrë në kalendarin e festave të shtetit tonë qysh nga shpallja e pavarësisë.  Zyrtarizimi dhe shënimi i kësaj dite, të cilën Evropa e shënon prej 9 majit të vitit 1950 në kujtim të nismës së projektit të integrimit evropian, ishte përqafim i vlerave demokratike dhe dëshmi e qartë e orientimit të palëkundur të Kosovës drejt familjes evropiane, së cilës i takon edhe gjeografikisht.  Për më tepër, Kosova dhe qytetarët e saj kanë bashkëjetuar dhe vazhdojnë të bashkëjetojnë prej pas çlirimit dhe pavarësimit me ëndrrën për t’u përbashkuar me popujt e kontinentit tonë nën kulmin e Bashkimit Evropian”, ka shkruar Konjufca në facebook.

Kryetari i Kuvendit ka potencuar që Bashkimi Evropian është treguar i vonuar në proceset e integrimit të Kosovës brenda familjes evropiane dhe sipas tij kjo ëndërr po shndërrohet në një zhgënjim për qytetarët e Kosovës.

”Sepse Dita e Evropës e gjenë Kosovën jo vetëm pa statusin e kandidatit, por edhe pa liberalizim të vizave, e ndërsa qytetarët e saj në një getoizim të pashembullt. Përveçse diskriminim dhe padrejtësi e madhe, kufizimi i lirisë së lëvizjes është edhe shmangie nga parimet e një Evrope pa kufij. Qytetarët e Kosovës, edhepse të shpërfillur, vazhdojnë të besojnë fort në politikat integruese evropiane dhe të shpresojnë që, në një të ardhme të afërt, Evropa do t’ua hapë dyert, siç i hapi për shumë shtete e popuj”, ka theksuar Konjufca.

Sipas tij, institucionet e Kosovës do të punojnë me përkushtim e vendosmëri, ndershmëri e përgjegjësi drejt integrimit të Republikës së Kosovës në shtëpinë e përbashkët evropiane, sepse sipas tij Evropa është familja dhe e ardhmja e Kosovës.

Kujtojmë që, në Samitin e Milanos në 1985, krerët e BE-së kishin vendosur që data 9 maj të shpallej dhe festohej si Dita e Evropës. Kjo ditë tashmë ka vite që festohet edhe në Kosovë, ku për nder të saj, do të organizohen aktivitete të ndryshme nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë./21Media

Evropa është familja jonë e natyrshme dhe e ardhmja jonë.

Sot është Dita e Evropës, ditë kjo që ka hyrë në kalendarin e…

Posted by Glauk Konjufca on Sunday, May 9, 2021

Back to top button