​Haradinaj tha se e kishte nderin të ishte bashkëluftëtar me Ilir Konushevcin dhe Hazir Malajn

 

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj sot bëri homazhe dhe vendos kurora lulesh te varret e heronjve të Kosovës Ilir Konushevci dhe Hazir Malaj.

Pranë Haradinajt për të bërë homazhe e dhuruar lule te varret e dëshmorëve u panë edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri dhe deputeti nga radhët e AAK-së, infektologu Shemsedin Dreshaj dhe shumë të tjerë.

Haradinaj atje u përshëndet me familjarët e heronjëve dhe tha se kishte për nder të ishte bashkëluftëtar me Ilir Konushefcin e Hazir Malajn. Ai po ashtu u dha medalje familjes së dëshmorëve, për kontributin e tyre të dhënë në çështje kombëtrare.

Kurse, në emër të familjeve Konushevci dhe Malaj, Arton Konushevci falënderoi të gjithë të pranishmit për nderimin që po ua bëjnë këtyre dy heronjëve.

‘Datat e tilla sa janë shumë vështira për neve, janë edhe data krenarie duke marrë parasysh kontributin që kanë dhënë të gjithë dëshmorët e kombit. Ata kanë dhënë kontributin më të madh për çlirimin e vendit, tash shpresoj që neve na ka mbetur më pak punë për të vazhduar idealin e tyre dhe shpresoj që Kosova do të ketë ditë më të mira në të ardhmen”, tha ai.

Sot bëhen 23 vjet nga vrasja e njërit ndër themeluesit e UÇK-së në Llap dhe njërit ndër themeluesit dhe mbështetësit e sektorit të logjistikës për UÇK-në, Ilir Konushevci. Vrasja e Ilirit ka shkaktuar humbje të madhe për tërë vendin e në veçanti për UÇK-në dhe shtabin e saj qendror. Ilir Konushevci në radhët e UÇK-së ka shkruar rreshta të pashlyer në historinë tonë kombëtare, ka qenë ndër themeluesit e UÇK-së në Llap dhe është njëri ndër themeluesit dhe mbështetësit e sektorit të logjistikës për UÇK-në.

Back to top button